Linjat ajrore mund të kursejnë miliarda dollarë në karburantin e avionëve pasi një marrëveshje e përkohshme paqeje midis SHBA-së dhe Iranit uli çmimet e naftës. Megjithatë, pasagjerët nuk ka gjasa të shohin ulje të menjëhershme të çmimeve të biletave, pasi kapaciteti i kufizuar i fluturimeve mund t’u lejojë kompanive ajrore të mbajnë tarifat shumë më lart se nivelet para konfliktit, raporton Reuters.
Tregu amerikan ofron shembullin më të qartë. Rritjet e tarifave të biletave ende nuk kanë arritur ritmin e rritjes së kostove të karburantit gjatë këtij viti, ndërsa zgjerimi i numrit të vendeve të disponueshme në fluturimet e brendshme mbetet i kufizuar. Kjo u jep kompanive ajrore mundësinë që të përdorin uljen e kostove të karburantit për të përmirësuar fitimet, në vend që të ulin çmimet e biletave.
Çmimi spot i karburantit të avionëve në SHBA ishte 2.85 dollarë për gallon më 17 qershor, duke rënë ndjeshëm nga kulmi prej 4.88 dollarësh për gallon në fillim të prillit. Sipas një llogaritjeje të Reuters bazuar në konsumin e karburantit të industrisë, nëse kjo rënie do të vazhdonte, ajo do të ulte faturën vjetore të karburantit të industrisë ajrore amerikane me më shumë se 40 miliardë dollarë.
Ndërsa çmimet e karburantit u rritën, kompanitë ajrore amerikane rritën çmimet e biletave dhe tarifat për bagazhet, si dhe shkurtuan oraret e fluturimeve. Megjithatë, këto masa kanë kompensuar vetëm një pjesë të rritjes së kostove të karburantit.
Të dhënat e industrisë tregojnë se çmimet e karburantit të avionëve u rritën më shumë se tre herë më shpejt sesa tarifat e biletave nga janari deri në maj. Sipas vlerësimeve të Deutsche Bank, kompanitë ajrore amerikane do të rikuperonin vetëm rreth 60 cent për çdo dollar shtesë të shpenzuar për karburant, 14.4 miliardë dollarë të ardhura shtesë kundrejt 24.1 miliardë dollarëve kosto shtesë për karburantin.
Alaska Air deklaroi se po rikuperonte rreth një të tretën e rritjes së kostove, ndërsa Delta Air Lines, United Airlines dhe American Airlines thanë se në tremujorin e dytë po rikuperonin rreth 40%–50% të kostove shtesë. Ndërkohë, JetBlue Airways dhe Frontier Group presin të rikuperojnë më pak se gjysmën e tyre.
Drejtori ekzekutiv i United Airlines, Scott Kirby, i tha Reuters se kompania e tij po i afrohej rikuperimit të plotë të rritjes së kostove të karburantit përmes çmimeve: “Jemi në rrugën e duhur për të rikuperuar 100% deri në fund të vitit.”
Sipas të dhënave të Raymond James, tarifat mesatare për fluturimet e brendshme të rezervuara një javë para nisjes ishin 34.1% më të larta krahasuar me një vit më parë, deri më 8 qershor.
Pyetja kryesore është nëse kompanitë ajrore do të arrijnë të ruajnë këto tarifa të larta ndërsa çmimet e karburantit bien. Analisti i Melius Research, Conor Cunningham, tha se “ajo që mbetet vendimtare është aftësia për të mbajtur çmimet”, duke shtuar se çmimet më të ulëta të benzinës mund të zbusin pakënaqësinë e konsumatorëve ndaj tarifave të larta ajrore.
Jashtë SHBA-së, ulja e tarifave ka të ngjarë të jetë e pabarabartë. Çmimet më të ulëta të naftës së papërpunuar do të kërkojnë kohë për t’u reflektuar në çmimet e karburantit të avionëve dhe, përveç nëse ato kthehen pranë niveleve të fillimit të vitit, kompanitë ajrore ka të ngjarë të mbajnë tarifat aktuale ose t’i rrisin ato aty ku kërkesa e lejon.
Në Evropë mund të ketë një ndarje. Tarifave të fluturimeve ndërkontinentale u ka më shumë gjasa të ulen, sepse kompanitë ajrore kanë arritur t’ua transferojnë më mirë pasagjerëve kostot e larta të karburantit në këto linja, sipas analistit të RBC, Ruairi Cullinane. Nga ana tjetër, tarifat për fluturimet me distanca të shkurtra mund të mbeten të larta nëse marrëveshja e paqes nxit rezervimet dhe kërkesën.
Në Azi, analistët e HSBC thanë se tre kompanitë më të mëdha ajrore të Kinës përballen me fuqi të dobët në përcaktimin e çmimeve dhe me rënie të përdorimit të avionëve. Ndërkohë, Cathay Pacific është në një pozicion më të favorshëm, pasi tarifat më të larta, të ardhurat nga transporti i mallrave dhe kërkesa për udhëtime premium mund të kompensojnë kostot e karburantit./skyweb.al
















