Raporti përfundimtar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale propozon një rishikim të thellë të mënyrës se si organizohet pushteti vendor në Shqipëri, duke përfshirë mundësinë e reduktimit të numrit aktual prej 61 bashkish.
Dokumenti nuk paraqet ende një hartë përfundimtare dhe as një listë zyrtare të bashkive që do të shkrihen. Ai ndërton diagnozën, përcakton kriteret dhe paraqet katër skenarë mbi të cilët Komisioni dhe Kuvendi pritet të marrin vendimin politik.
Nga analiza e raportit del se drejtimi më i mundshëm nuk është as ruajtja e hartës ekzistuese dhe as një shkrirje masive e bashkive. Varianti që përputhet më shumë me rekomandimet dhe me gjetjet e dokumentit është skenari i tretë: bashkime të përzgjedhura të njësive më të dobëta, të kombinuara me kalimin e disa funksioneve të specializuara në nivel ndërbashkiak ose rajonal.
Raporti është hartuar pas nëntë muajsh pune, dëgjesash në 11 qarqe dhe konsultimesh me më shumë se 3.500 qytetarë e përfaqësues vendorë. Analiza mbështetet në të dhënat e Censit 2023, Ministrisë së Financave, INSTAT-it dhe institucioneve të pushtetit vendor.
Çfarë përmban raporti
Dokumenti analizon rezultatet e reformës territoriale të vitit 2014, e cila uli numrin e njësive vendore nga 373 bashki dhe komuna në 61 bashki.
Raporti pranon se reforma e parë krijoi njësi më të mëdha dhe uli fragmentimin administrativ, por argumenton se nuk i zgjidhi të gjitha problemet e pushtetit vendor.
Një pjesë e bashkive vazhdojnë të kenë popullsi shumë të vogël, ekonomi të dobët, mungesë të ardhurash të veta, staf të pamjaftueshëm dhe kapacitete të kufizuara për të ofruar shërbime.
Sipas dokumentit, bashkitë shqiptare kanë ligjërisht 41 funksione, por jo të gjitha janë në gjendje t’i ushtrojnë realisht. Mesatarisht, bashkitë arrijnë të mbulojnë vetëm 15,8 nga 34 funksionet e matshme, ndërsa 42 bashki mbulojnë më pak se gjysmën e tyre. Vetëm pesë bashki arrijnë të financojnë dhe ushtrojnë të paktën 24 funksione.
Për këtë arsye, raporti shqyrton një kombinim të tri ndërhyrjeve: ndryshimin e kufijve të disa bashkive, rishpërndarjen e funksioneve dhe krijimin e një niveli rajonal mbi 12 qarqet aktuale.
Rajonet e reja do të mund të merrnin funksione që kalojnë kufijtë e një bashkie, si planifikimi strategjik, transporti ndërbashkiak, menaxhimi i mbetjeve, mbrojtja nga përmbytjet, administrimi i burimeve natyrore dhe përgatitja e projekteve për fondet e Bashkimit Evropian.
Pesë kriteret mbi të cilat janë vlerësuar bashkitë
Raporti nuk e lidh shkrirjen vetëm me numrin e banorëve. Çdo bashki është vlerësuar sipas pesë kritereve, të cilat kanë peshë të ndryshme në rezultatin përfundimtar.
Kriteri financiar dhe funksional – 30%. Ky është kriteri me peshën më të madhe. Ai mat autonominë fiskale, peshën e pagave dhe shpenzimeve operative, numrin e funksioneve që mbulohen realisht, efikasitetin e stafit dhe detyrimet e prapambetura.
Kriteri ekonomik – 20%. Vlerëson numrin e bizneseve aktive, punësimin formal, produktivitetin, pagat dhe diversifikimin ekonomik të territorit.
Kriteri demografik – 20%. Merr në konsideratë popullsinë sipas Censit 2023, dendësinë, moshën mesatare, urbanizimin, humbjen e popullsisë dhe qëndrueshmërinë demografike afatgjatë.
Distanca dhe aksesi – 15%. Mat largësinë rrugore dhe kohën e udhëtimit nga një bashki drejt një qendre më të madhe ku mund të ankorohet.
Kohezioni social, kulturor dhe historik – 15%. Vlerëson identitetin lokal, lidhjet historike dhe praninë e pakicave kombëtare. Në rastet ku preken të drejtat e pakicave ose identiteti i fortë i një komuniteti, ky kriter mund të përdoret edhe si pengesë ndaj bashkimit.
Tre kriteret e para maten përmes Indeksit të Funksionalitetit të Bashkive, Indeksit të Performancës Ekonomike dhe Indeksit të Strukturës Demografike-Urbane. Bashkitë ndahen në nivel të lartë, të mesëm dhe të ulët, ku rezultatet nën 45 pikë konsiderohen të ulëta.
Katër skenarët e reformës
Skenari i parë: Harta nuk ndryshon
Në variantin e decentralizimit asimetrik, 61 bashkitë mbeten të pandryshuara, por nuk kanë më të gjitha të njëjtat përgjegjësi.
Të gjitha bashkitë do të ushtronin funksionet bazë, ndërsa funksionet më të ndërlikuara do t’u liheshin vetëm bashkive me kapacitet të mjaftueshëm ose do të ushtroheshin bashkërisht.
Ky variant shmang kostot dhe debatet politike të ndryshimit të kufijve, por krijon një sistem më kompleks, ku qytetarët e bashkive të ndryshme mund të marrin shërbime nga nivele të ndryshme institucionale.
Skenari i dytë: Bashkime të mëdha
Ky variant parashikon një konsolidim të thellë të hartës, me qëllim krijimin e bashkive aq të mëdha dhe të fuqishme sa të ushtrojnë të gjitha 41 funksionet ligjore.
Avantazhi do të ishte krijimi i bashkive me kompetenca të njëjta dhe kapacitete më të mëdha.
Por raporti evidenton edhe rreziqet: largimin e administratës nga qytetari, dobësimin e përfaqësimit lokal dhe humbjen e identiteteve historike ose kulturore të njësive të vogla.
Skenari i tretë: Bashkime të përzgjedhura
Ky skenar parashikon një konsolidim të moderuar.
Bashkimet do të përqendroheshin vetëm te njësitë me kapacitet të kufizuar, në mënyrë që bashkitë e mbetura të mund të ushtrojnë të paktën funksionet bazë dhe të zgjeruara.
Funksionet më të specializuara, si menaxhimi i madh i mbetjeve, transporti rajonal apo projekte të caktuara infrastrukturore, do të kalonin në nivel qendror, ndërbashkiak ose rajonal.
Raporti e konsideron avantazhin kryesor të këtij varianti raportin më të mirë ndërmjet kostove dhe përfitimeve. Ndërhyrja bëhet vetëm aty ku të dhënat tregojnë se bashkia nuk është e qëndrueshme, pa ndryshuar të gjithë hartën e vendit.
Skenari i katërt: Bashki vetëm me funksione bazë
Ky është varianti më i ndryshëm nga sistemi aktual.
Bashkitë mund të mbeten të vogla ose edhe të ndahen, por do të merreshin kryesisht me shërbimet bazë pranë qytetarit.
Funksionet e zgjeruara dhe të specializuara do t’u kalonin strukturave rajonale, qeverisë qendrore ose institucioneve të përbashkëta.
Ky model ruan afërsinë e pushtetit me qytetarin, por dobëson rolin e bashkisë si institucion me kompetenca të gjera dhe e bën më të vështirë decentralizimin e mëtejshëm.
Pse skenari i tretë duket më i mundshëm
Raporti nuk shpall zyrtarisht fitues një nga katër skenarët dhe thekson se vendimi përfundimtar i takon Komisionit dhe Kuvendit.
Megjithatë, drejtimi i rekomanduar në dokument përputhet pothuajse drejtpërdrejt me skenarin e tretë.
Raporti kërkon reduktimin e numrit të bashkive vetëm aty ku të dhënat e justifikojnë, për njësitë që ndodhen nën masën kritike dhe mund të lidhen me një bashki tjetër brenda të njëjtit qark.
Në të njëjtën kohë propozohet krijimi i një niveli rajonal që do të marrë funksionet ndërbashkiake dhe ato që bashkitë e dobëta nuk janë në gjendje t’i ushtrojnë.
Pra, nuk bëhet fjalë për zhdukjen masive të bashkive të vogla. Synimi është bashkimi i disa njësive të dobëta, ndërsa pjesa tjetër do të vazhdojë të ekzistojë me një ndarje të re të përgjegjësive.
Raporti parashikon gjithashtu përjashtime për bashkitë me identitet minoritar ose historik dhe për njësitë shumë të largëta gjeografikisht.
Bashkitë që rrezikojnë të shkrihen
Raporti nuk thotë shprehimisht se cilat bashki do të shkrihen. Lista e mëposhtme del nga ndërthurja e pesë kritereve, veçanërisht nga popullsia e ulët, rezultatet e dobëta financiare dhe ekonomike dhe afërsia me një bashki më të madhe.
Rrogozhina
Rrogozhina është një nga rastet më të ekspozuara.
Bashkia ka 12.567 banorë dhe vetëm 8,3 pikë në Indeksin e Funksionalitetit, një nga rezultatet më të ulëta në vend. Indeksi demografik është gjithashtu i ulët, me 24,5 pikë.
Qendra e Rrogozhinës ndodhet vetëm rreth 23 minuta larg Kavajës, e cila paraqitet në raport si njësia më e mundshme ankoruese.
Për shkak të dobësisë funksionale dhe afërsisë së madhe, bashkimi Rrogozhinë–Kavajë del si një nga mundësitë më të forta që prodhojnë të dhënat e raportit.
Memaliaj
Memaliaj ka rreth 6.600 banorë dhe ndodhet shumë pranë Tepelenës.
Bashkia ka tregues të dobët demografikë dhe kapacitete të kufizuara institucionale. Afërsia prej pak më shumë se 12 minutash me Tepelenën e bën një nga njësitë më të lehta për t’u përfshirë në një bashkim.
Në aspektin territorial, bashkimi me Tepelenën do të sillte kosto më të ulëta aksesi sesa në shumë raste të tjera.
Këlcyra
Këlcyra ka vetëm rreth 4.400 banorë dhe rezultate të dobëta në treguesit financiarë, ekonomikë dhe demografikë.
Qendra e saj ndodhet rreth 25 minuta nga Përmeti, me të cilin ka lidhje të forta territoriale dhe ekonomike.
Në një skenar të bashkimeve të përzgjedhura, Këlcyra është ndër kandidatet më të dukshme për t’u bashkuar me Përmetin.
Delvina
Delvina ka 6.166 banorë, 38,6 pikë në Indeksin e Funksionalitetit, 26,3 pikë në performancën ekonomike dhe 19,6 pikë në indeksin demografik.
Ajo ndodhet rreth 29 minuta nga Saranda, e cila ka kapacitete shumë më të larta financiare dhe ekonomike.
Të tre indekset e dobëta, të kombinuara me afërsinë ndaj Sarandës, e vendosin Delvinën në grupin e bashkive më të rrezikuara për humbjen e statusit të saj të pavarur.
Fushë-Arrëzi
Fushë-Arrëzi ka 4.878 banorë dhe rezultate të ulëta në të tre indekset: 34,2 pikë në funksionalitet, 27,1 në ekonomi dhe 25,1 në demografi.
Nga pikëpamja e treguesve është një kandidat i qartë për konsolidim.
Problemi është gjeografia. Raporti e vendos rreth 92 minuta larg Vaut të Dejës, ndërsa terreni malor dhe distanca mund ta bëjnë bashkimin të vështirë.
Një alternativë më e natyrshme mund të jetë lidhja me Pukën, por edhe kjo duhet të vlerësohet në raport me aksesin e qytetarëve. Kjo e bën Fushë-Arrëzin teknikisht të rrezikuar, por jo domosdoshmërisht të lehtë për t’u shkrirë.
Konispoli
Konispoli ka vetëm 4.898 banorë, 30,7 pikë në funksionalitet, 27,3 pikë në ekonomi dhe 14,7 pikë në indeksin demografik.
Këto janë rezultate të dobëta që, në kushte normale, do ta vendosnin në listën e parë për bashkim me Finiqin ose Sarandën.
Por Konispoli ka një profil historik dhe identitar të fortë. Gjatë dëgjesave publike është kërkuar ruajtja e tij si bashki më vete.
Për këtë arsye, Konispoli është i rrezikuar sipas shifrave, por mund të mbrohet nga kriteri i kohezionit social dhe historik.
Pusteci
Pusteci paraqet rastin më ekstrem të dobësisë demografike dhe ekonomike.
Ai ka më pak se 2.000 banorë dhe renditet në fund të indekseve kryesore.
Megjithatë, Pusteci është një bashki me popullsi të përqendruar të pakicës maqedonase. Për shkak të garancive për pakicat kombëtare, ai mund të përjashtohet nga rregulli i përgjithshëm i bashkimit.
E njëjta mbrojtje mund të ndikojë edhe në vendimet për Finiqin dhe Dropullin, ku përqendrohen komunitete të pakicës greke.
Jo çdo bashkim krijon automatikisht bashki më të fortë
Raporti paralajmëron se bashkimi mekanik i dy njësive të varfra nuk krijon domosdoshmërisht një bashki të fortë.
Nëse dy bashki kanë ekonomi të dobët, të ardhura të pakta dhe varësi të lartë nga transfertat e qeverisë, bashkimi i tyre mund të krijojë vetëm një territor më të madh, por jo një bazë të re financiare.
Për këtë arsye, reforma territoriale duhet të shoqërohet me një formulë të re financimi, forcim të taksës së pasurisë, rishikim të transfertës së pakushtëzuar dhe standarde minimale për shërbimet.
Raporti propozon që një bashkim të konsiderohet i justifikuar vetëm kur bashkia e re përmirëson qëndrueshmërinë financiare dhe funksionale, pa e rritur në mënyrë të papranueshme distancën e qytetarëve nga shërbimet dhe pa dëmtuar përfaqësimin lokal.
Harta e re synohet për zgjedhjet e vitit 2027
Sipas kalendarit të paraqitur në raport, vlerësimi i skenarëve, konsultimi dhe miratimi i paketës ligjore duhet të përfundojnë brenda vitit 2026.
Qëllimi është që harta e re administrativo-territoriale të zbatohet në zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Deri atëherë, Komisioni pritet të përcaktojë se cilat bashki do të bashkohen, cilat do të ruhen për arsye identitare ose gjeografike dhe cilat funksione do t’i kalojnë nivelit të ri rajonal.
Në përfundim, raporti nuk propozon kthimin te qindra bashki e komuna dhe as një reduktim të verbër të 61 njësive aktuale. Ai orienton drejt një harte me më pak bashki, por vetëm përmes bashkimeve të synuara.
Nga të dhënat e dokumentit, Rrogozhina, Memaliaj, Këlcyra, Delvina dhe Fushë-Arrëzi dalin ndër njësitë më të ekspozuara, ndërsa Konispoli, Pusteci, Finiqi dhe Dropulli mund të mbrohen nga kriteret identitare dhe minoritare. /skyweb.al














