Një denoncim i bërë publik në “Instagram” nga Kleoptara Qirici ka ngritur pikëpyetje mbi një ndërtim të dyshuar pa leje në Tiranë, në një godinë që, sipas saj, ndodhet vetëm rreth 200 metra larg Komisariatit nr. 3.

Në pamjet e publikuara shihet një ndërtesë shumëkatëshe, për të cilën pretendohet se është shtuar një kat pa lejen përkatëse. Qirici ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si një ndërhyrje e tillë mund të jetë realizuar pa u konstatuar nga strukturat përgjegjëse, duke marrë parasysh edhe afërsinë e objektit me komisariatin e policisë.
Denoncimi i drejtohet gjithashtu drejtuesit të Komisariatit nr. 3, Besmir Qibini, ndërsa në postim kërkohet sqarim nëse autoritetet kanë qenë në dijeni të punimeve dhe nëse janë ndërmarrë kontrolle për verifikimin e ligjshmërisë së tyre.
Qirici e krahason rastin me kontrollet që, sipas saj, zhvillohen rregullisht në të njëjtën zonë për shkelje të tjera. Ajo përmend kontrollet për parkime të gabuara, tavolina pokeri, lojëra fati apo aktivitetin e bizneseve, duke ngritur pyetjen se si një kat i tërë i shtuar në një godinë mund të ketë kaluar pa u evidentuar.
Në materialin e publikuar nuk paraqitet, megjithatë, ndonjë dokument zyrtar që të vërtetojë se kati shtesë është ndërtuar realisht pa leje. Po ashtu, nuk ka të dhëna të verifikuara nëse Policia, Bashkia e Tiranës apo strukturat e kontrollit të territorit kanë qenë në dijeni të ndërhyrjes apo kanë kryer më herët verifikime në objekt.
Deri më tani nuk rezulton të ketë një reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse lidhur me denoncimin dhe statusin ligjor të ndërtimit.
Në këto kushte, pretendimet e ngritura në rrjetet sociale mbeten për t’u verifikuar nga autoritetet kompetente, të cilat duhet të përcaktojnë nëse ndërhyrja është kryer me leje dhe në përputhje me dokumentacionin urbanistik apo nëse kemi të bëjmë me një ndërtim të paligjshëm. /oranews















