Në një kohë kur inteligjenca artificiale po depërton me shpejtësi në çdo sektor, gjiganti i konsulencës Ernst & Young (EY) ka vendosur të investojë te aftësitë njerëzore.
Kompania ka njoftuar një fond prej 100 milionë dollarësh për shpërblimin e punonjësve që tregojnë gjykim të mirë, përshtatshmëri, aftësi bashkëpunimi dhe përdorim inovativ të teknologjisë.
Bonuset do të variojnë nga 500 deri në 25 mijë dollarë dhe do t’u jepen individëve ose ekipeve që sjellin ndryshime konkrete në kompani, përmirësojnë shërbimet dhe promovojnë kulturën e inovacionit.
Programi përfshin tri kategori çmimesh, të lidhura me të mësuarit dhe bashkëpunimin, zhvillimin përmes teknologjisë dhe ndikimin pozitiv në aktivitetin e kompanisë. Punonjësit do të mund të propozojnë edhe kolegët e tyre për shpërblim.
Drejtuesi i EY në SHBA, Dante D’Egidio, deklaroi se investimi synon ndërtimin e fuqisë punëtore të së ardhmes dhe vlerësimin e aftësive që nevojiten për t’u ofruar klientëve shërbime cilësore.
Nisma vjen ndërsa rreth 72% e bizneseve kanë integruar inteligjencën artificiale në të paktën një funksion. Edhe kompani të tjera të mëdha, si KPMG dhe PwC, po e zhvendosin trajnimin drejt mendimit kritik dhe aftësive që teknologjia nuk mund t’i zëvendësojë lehtësisht.
Megjithatë, pasiguria mes punonjësve mbetet e lartë. Sipas Pew Research Center, 71% e amerikanëve mendojnë se AI do të zvogëlojë numrin e vendeve të punës gjatë 20 viteve të ardhshme, ndërsa vetëm 5% presin që ajo të krijojë më shumë punësim.
Të rinjtë e Gjeneratës Z shfaqen veçanërisht skeptikë. Vetëm një në tre prej tyre e konsideron pozitiv ndikimin e AI në punë, ndërsa shumë kanë frikë se teknologjia mund të zëvendësojë rolet e tyre ose të kufizojë kreativitetin.
















