Qëndrimi i trupit nuk lidhet vetëm me shëndetin e shtyllës kurrizore. Një studim i ri sugjeron se mënyra si ulemi mund të ndikojë edhe në emocionet, vetëbesimin dhe vendimet që marrim.
Studiuesit e Universitetit McGill në Kanada zbuluan se pjesëmarrësit që qëndronin më drejt shfaqën humor më pozitiv dhe rezultate më të mira sesa ata që qëndronin të kërrusur.
Në studim morën pjesë 200 studentë, të cilëve iu kërkua të kryenin disa teste në një tablet, me arsyetimin se po vlerësonin një aplikacion për telefonat celularë.
Për një pjesë të pjesëmarrësve, tableti u vendos mbi një mbajtëse dhe në një tavolinë të përshtatshme, duke nxitur një qëndrim më të drejtë. Për të tjerët, pajisja u vendos mbi një tavolinë më të ulët, duke i detyruar të përkuleshin.
Askush nuk u udhëzua se si duhej të qëndronte. Kjo u bë për të shmangur mundësinë që pjesëmarrësit të ndryshonin sjelljen pasi të kuptonin qëllimin e eksperimentit.
Gjatë një testi me një tullumbace virtuale, ku mund të fitonin pikë duke marrë përsipër rrezikun që ajo të shpërthente, personat me qëndrim më të drejtë morën vendime më të guximshme dhe siguruan shpërblime më të mëdha.
Sipas studiuesve, ata nuk vepruan më impulsivisht, por morën rreziqe më të efektshme. Pjesëmarrësit me qëndrim më të mirë deklaruan gjithashtu se ndiheshin më krenarë dhe kishin humor më pozitiv.
Pozicioni i qafës dhe trupit u monitorua me programe të posaçme për analizimin e videove, ndërsa intervistat pas eksperimentit treguan se shumica nuk e kishin kuptuar se qëndrimi i tyre ishte ndikuar nga vendosja e pajisjeve.
Studimi ka edhe kufizime, pasi pjesëmarrësit ishin kryesisht studente të reja të një universiteti kanadez. Për këtë arsye, rezultatet nuk mund të përgjithësohen automatikisht për të gjitha moshat dhe grupet shoqërore.
Megjithatë, përfundimet tregojnë se një ndryshim i vogël në mënyrën si ulemi mund të ndikojë, edhe në mënyrë të pavetëdijshme, në humorin, vetëbesimin dhe sjelljen tonë.















