Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka përgënjeshtruar pretendimet që po qarkullojnë në rrjetet sociale se autoambulancat përdoren për furnizim me gaz lotsjellës.
Në një reagim të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë, QKUM i cilëson këto informacione të rreme dhe thekson se ambulancat dhe ekipet mjekësore janë në terren vetëm për t’u ardhur në ndihmë personave që kanë nevojë për ndihmë të shpejtë.

Institucioni u bën thirrje qytetarëve dhe protestuesve të mos pengojnë qarkullimin e ambulancave dhe punën e personelit shëndetësor.
Sipas QKUM-së, bllokimi i mjeteve dhe dhuna ndaj ekipeve mjekësore vonojnë ndërhyrjet emergjente, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e pacientëve dhe sigurinë e stafit.
Për identifikimin e mjeteve, QKUM ka publikuar targat e 12 autoambulancave aktualisht në shërbim aktiv:
- AC 410 AC
- AC 878 AC
- AC 656 AC
- AC 342 AC
- AB 657 CF
- AB 703 CF
- AB 946 CF
- AB 776 CF
- AA 813 VU
- AA 874 VU
- AB 245 FV
- AB 846 CF
Në reagim theksohet se përhapja e dezinformatave dëmton besimin e publikut dhe se shërbimi i urgjencës është në dispozicion të çdo qytetari, pa dallim.
Për çdo urgjencë mjekësore, qytetarët mund të telefonojnë në numrin pa pagesë 127. /skyweb.al















