Kryeministri Edi Rama ka prezantuar paketën e re ligjore që synon të luftojë dhunën dhe anarkinë urbane, duke parashikuar masa ndëshkuese për personat e përfshirë në tubime ku ushtrohet dhunë, si dhe dëmshpërblimin e bizneseve të dëmtuara.
Sipas masave të bëra publike, parashikohen gjoba deri në 500 mijë lekë për personat që qëndrojnë në turma ku ushtrohen akte dhune, duke qenë në dijeni të tyre. Një tjetër element i paketës është kompensimi për bizneset që pësojnë dëme gjatë protestave të dhunshme.
Prezantimi i nismës vjen një ditë pas protestës së së shtunës në Tiranë, e cila u shoqërua me përplasje, sulme me molotovë ndaj institucioneve dhe dëmtime të pronës publike e private.
Gjatë deklaratave të tij, Rama akuzoi Partinë Demokratike se kishte marrë drejtimin e akteve të dhunshme gjatë protestës. Ai pretendoi gjithashtu se selia e kësaj force politike ishte përdorur si strehim dhe pikë furnizimi me lëndë plasëse.
“Pas një tjetër vale dhune mbrëmë në qendër të Tiranës, ku PD doli nga prapavija në ballë të ushtrimit të dhunës urbane dhe godina e saj u kthye në strehim politik dhe në pikë furnizimi me lëndë plasëse të dhunuesve të mbledhur mbrëmë nga të katër anët dhe katër burimet e kësaj flame antidemokratike”, tha Rama.
Paketa e re ligjore synon të përcaktojë përgjegjësitë dhe masat ndaj personave që përfshihen ose qëndrojnë në situata të dhunshme, si dhe të krijojë mekanizma për mbrojtjen e bizneseve dhe pronës nga dëmet e shkaktuara gjatë protestave.
Një nga masat e prezantuara është dëmshpërblimi i bizneseve të prekura nga dhuna. Përmes një akti normativ, bizneset e vogla do të dëmshpërblehen në masën 100% të dëmit, ndërsa bizneset e mëdha në masën 70%.
Kryeministri prezantoi edhe ligjin për riparimin e dëmeve, sipas parimit “Kush thyen, paguan”, duke theksuar se përgjegjësia financiare për dëmet e shkaktuara do të bjerë mbi autorët dhe jo mbi taksapaguesit.
















