Një procedurë prokurimi për ngritjen e një parku lodrash për fëmijë me fond limit 150 000 euro në Bashkinë Himarë ka ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si hartohen tenderat publikë.
Siç ka konstatuar skyweb.al pas konsultimit të dokumeteve të tenderit si edhe një ankimimi të dërguar në KPP, ka të dhëna të drejtëdrejta që sugjerojnë se kemi të bëjmë me paracaktim të fituesit pikërisht përmes kritereve teknike.
Ndryshe nga tenderë të ngjashëm në Himarë dhe gjetkë, situata duket se kësaj radhe është flagrante, kjo pasi autoriteti publik, ka përcaktuar kushte fikse për madhësinë e lodrave dhe të tubave të rrotullueses duke sugjeruar se në fakt, fituesi është gjetur dhe tani po bëhen “letrat”. Në fakt, mungon vetëm që të kishin caktuar edhe emrin e fituesit.

Në fakt, këtë nuk e themi ne por kompania InfoSoft Office, e cila siç konstatoi skyweb.al, është ankuar në KPP pikërisht me këto argumente.
Sipas dokumenteve të tenderit, kërkohet që një nga lodrat e fëmijëve të ketë një sipërfaqe fikse prej 17.85 m², ndërsa për një tjetër element teknik kërkohet përdorimi i një tubi metalik me diametër fiks 60.3 mm.
Në të njëjtën linjë, përcaktohen edhe parametra të tjerë të ngurtë, si pesha e materialit apo dimensionet e pjesëve përbërëse, pa asnjë tolerancë apo marzh.

Nisur nga këto kërkesa specifike të Bashkisë Himarë, kompania private hedh dyshime të forta për paracaktimin e fituesit përmes kritereve teknike, pasi vendosja e parametrave fiks pa tolerancë kufizon pjesëmarrjen dhe favorizon produkte apo prodhues të caktuar.

Sipas ankesës, “përmasat dhe parametrat e dhënë në vlera fikse, pa përcaktuar marzhe të lejuara, janë në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik dhe kufizojnë konkurrencën”.

Më tej, theksohet se kërkesa për një sipërfaqe fikse prej 17.85 m² “nuk ka asnjë argument teknik pse duhet të jetë pikërisht kjo vlerë”, ndërsa produkte të tjera që plotësojnë të gjitha funksionet mund të përjashtohen vetëm për shkak të këtij detaji.

E njëjta logjikë aplikohet edhe për tubin metalik me diametër 60.3 mm, për të cilin ankuesi kërkon vendosjen e një marzhi fleksibël dhe jo një vlere fikse si kjo.
Në thelb, ankesa sugjeron se tenderi është ndërtuar mbi specifikime që nuk synojnë të përshkruajnë nevojën funksionale të produktit, por një model të caktuar, çka përbën një nga format më tipike të asaj që në praktikë njihet si “tender i qepur”.
Por ky nuk është një rast i izoluar. Bashkia Himarë, e drejtuar nga Vangjel Tavo, ka rritur ndjeshëm volumin e fondeve të prokuruara gjatë javëve të fundit, duke u kthyer në një nga institucionet më aktive në shpalljen e tenderave. Këto zhvillime kanë qenë vazhdimisht objekt raportimesh nga Skyweb.al, i cili ka ngritur shqetësime për mënyrën e përdorimit të fondeve publike dhe mungesën e konkurrencës reale.
Paralelisht, një tjetër problem i vazhdueshëm mbetet mungesa e transparencës.
Bashkia Himarë spikat në refuzimin e dhënies së informacionit ndaj mediave dhe gazetarëve, madje edhe në rastet kur ka vendime të Komisionerit për të Drejtën e Informimit që e detyrojnë institucionin të përgjigjet.
Gafa me tenderin 300 milionë lekë, tre kompani “padisin” Vangjel Tavon në KPP
Kjo sjellje ka krijuar një mur informacioni rreth proceseve të prokurimit, duke e bërë të vështirë monitorimin publik të përdorimit të parave, ndryshe nga sa sugjerojnë standardet europiane të qeverisjes së hapur.
Rrjedhimisht, tenderi për këndin e lojërave për fëmijë nuk është thjesht një çështje specifikimesh teknike. Ai ngre një pyetje më të madhe: A po përdoren fondet publike për të krijuar hapësira për qytetarët, apo për të garantuar kontrata për operatorë të paracaktuar? /skyweb.al















