Qendrat e mashtrimit telefonik në Shqipëri, të njohura si call center-a, po marrin vëmendje të gjerë ndërkombëtare, pasi një tjetër media e huaj i ka përshkruar si struktura të mirëorganizuara kriminale që mashtronin qytetarë në disa vende të Europës.
Media greke Protothema i cilëson këto struktura si “qendra mafioze”, duke theksuar se ato kishin arritur të ndërtonin një rrjet të sofistikuar mashtrimi me qindra punonjës dhe aktivitet të shtrirë në disa shtete, përfshirë Greqinë.
Sipas artikullit, rrjeti me bazë në Tiranë arriti të gjenerojë deri në 50 milionë euro përfitime, një pjesë e konsiderueshme e të cilave dyshohet se vjen nga qytetarë grekë dhe europianë që u mashtruan përmes investimeve të rreme në kriptomonedha dhe produkte të tjera financiare.
Skema e mashtrimit ishte e thjeshtë në formë, por efektive në praktikë. Viktimat kontaktoheshin përmes telefonatave që shfaqnin numra të vendeve të BE-së, si Greqia, Belgjika apo Britania, ndërsa në realitet thirrjet kryheshin nga Tirana. Personat që telefononin prezantoheshin si përfaqësues të kompanive ndërkombëtare të investimeve dhe premtonin fitime të shpejta dhe të sigurta.
Në shumë raste, viktimat bindeshin të depozitonin fillimisht rreth 500 euro në portofolë dixhitalë. Ky ishte hapi i parë që, sipas artikullit, u jepte mashtruesve mundësinë të vazhdonin presionin për transferta të tjera, duke shfrytëzuar pritshmërinë e viktimave për të rikuperuar humbjet apo për të siguruar fitime të mëdha.
Organizimi i brendshëm i këtyre qendrave përshkruhet si një strukturë e ngjashme me një kompani të mirëfilltë. Në nivelin bazë ishin “këshilltarët” që kryenin telefonatat, të organizuar në ekipe prej 6 deri në 8 personash dhe të ndarë sipas gjuhëve të tregjeve ku operonin. Çdo ekip drejtohej nga një përgjegjës, i cili raportonte te drejtuesit e qendrës.
Punonjësit paguheshin me paga fikse rreth 800 euro në muaj, të shoqëruara me komisione që rriteshin në varësi të shumave që arrinin të nxirrnin nga viktimat.
Rrjeti u zbulua pas një rritjeje të ndjeshme të ankesave në Austri në vitin 2023, çka çoi në një hetim të përbashkët mes autoriteteve austriake dhe shqiptare, në bashkëpunim me Europol dhe Eurojust. Hetimi zgjati rreth dy vite dhe përfundoi me një operacion të gjerë në Tiranë.
Gjatë aksionit, autoritetet ndërhynë në disa ambiente, përfshirë zyra dhe banesa private, ku u sekuestruan qindra pajisje elektronike dhe rreth 891 mijë euro, ndërsa u arrestuan të paktën 10 persona të dyshuar.
Sipas Protothema, kompleksiteti i strukturës dhe mënyra e funksionimit e bëjnë këtë rrjet një rast studimi për agjencitë ndërkombëtare, pasi tregon se si një organizatë kriminale mund të ndërtohet dhe të operojë me logjikën e një biznesi të ligjshëm, duke arritur përfitime të konsiderueshme në një periudhë relativisht të shkurtër./skyweb.al
















