Ylli shqiptar i e pop-it Dua Lipa ka ngritur një padi ndaj kompanisë Samsung Electronics, duke kërkuar të paktën 15 milionë dollarë dëmshpërblim. Këngëtarja e akuzon gjigantin e teknologjisë së Koresë së Jugut se ka përdorur imazhin e saj pa leje për të promovuar televizorët.
Padia pretendon se Samsung ka vendosur një imazh të mbrojtur nga e drejta e autorit të këngëtares në pjesën e përparme të kutive prej kartoni që përmbajnë televizorë për shitje me pakicë, duke krijuar përshtypjen se ajo i mbështet apo i promovon këto produkte.
Imazhi i përmendur në padi titullohet “Dua Lipa – Backstage at Austin City Limits, 2024”, dhe Lipa është pronarja e plotë e të gjitha të drejtave mbi këtë fotografi. Padia është dorëzuar të premten në gjykatën federale në Kaliforni.
Një zëdhënës i Samsung Electronics ka refuzuar të komentojë, duke thënë se kompania nuk mund të flasë për çështje ligjore në proces, ndërsa avokatët e Dua Lipës nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment, shkruan Reuters.
Përveç shkeljes së të drejtave të autorit dhe markës tregtare, Dua Lipa akuzon Samsung edhe për shkelje të të drejtave të personalitetit.
Avokatët e saj kanë paraqitur në padi pamje nga rrjetet sociale dhe komente që pretendojnë se imazhi i këngëtares në kutitë e televizorëve ka ndikuar tek konsumatorët për të blerë produktin. Një nga komentet tregon një fans që thotë se do ta blinte televizorin “vetëm sepse Dua është në të”.
Sipas padisë, Lipa është vënë në dijeni për përdorimin e dyshuar të imazhit të saj në qershor të vitit të kaluar dhe ka kërkuar që Samsung të ndalojë përdorimin e tij, por kompania ka refuzuar vazhdimisht ta bëjë këtë.
Avokatët e saj shtojnë se përdorimi i paautorizuar i imazhit ka “dëmtuar dhe vazhdon të dëmtojë” identitetin e saj të markës dhe reputacionin komercial, duke krijuar përshtypjen e rreme se ajo i miraton ose i mbështet produktet në fjalë. /skyweb.al















