Numri i vajzave që diplomohen në universitetet shqiptare vijon të mbetet dukshëm më i lartë se ai i djemve. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin akademik 2023-2024 rreth 65,8% e të diplomuarve në arsimin e lartë ishin femra, ose afërsisht dy në tre studentë të diplomuar.
Në total, gjatë vitit akademik 2023-2024 u diplomuan 28.193 studentë në universitetet publike dhe private të vendit. Fushat ku dominimi i vajzave është më i fortë janë “Shkenca sociale, gazetari dhe informacioni”, ku ato përbëjnë 83% të të diplomuarve, të ndjekura nga “Arsimi” me 81,7% dhe “Shëndet dhe mirëqenie” me 78,9%.
Ndërkohë, meshkujt dominojnë kryesisht në degët teknike dhe profesionale. Sipas INSTAT, përqindja më e lartë e djemve të diplomuar rezulton në fushat “Shërbime”, “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” si edhe “Teknologji informacioni dhe komunikimi”.
Paralelisht me këtë trend në arsimin e lartë, statistikat tregojnë një tkurrje të vazhdueshme të arsimit parauniversitar në vend. Në vitin shkollor 2024-2025, në sistemin parauniversitar u regjistruan 405.989 nxënës, me një rënie prej 2,6% krahasuar me një vit më parë.
Rënia prek pothuajse të gjitha nivelet. Numri i fëmijëve në kopshte zbriti në 65.914, ndërsa në arsimin 9-vjeçar u regjistruan 250.617 nxënës, më pak se një vit më parë. Edhe arsimi i mesëm i lartë ka pësuar tkurrje, duke reflektuar efektin e rënies së lindjeve dhe emigracionit.
Të dhënat e INSTAT tregojnë gjithashtu se numri total i nxënësve dhe studentëve në sistemin arsimor ka ardhur në ulje në vitet e fundit. Në vitin shkollor 2024-2025 në arsimin zyrtar u regjistruan 528.602 nxënës dhe studentë, ndërsa një vit më parë ky numër ishte më i lartë.
















