Ernest Kurti, Amanti Jeshili, Eljo Dyrmishi dhe Marjo Myftari, 4 drejtues të një call center-i në Tiranë, janë arrestuar nga policia pasi dyshohen se organizonin një skemë mashtrimi kompjuterik.
Operacioni u zhvillua në katin e dytë të një objekti në bulevardin “Gjergj Fishta”, ku sipas policisë ishte përshtatur një ambient me dhjetëra poste pune.
View this post on Instagram
Në kuadër të operacionit të koduar “Hold on”, policia arrestoi në flagrancë 4 personat që dyshohet se administronin aktivitetin dhe/ose drejtonin grupet e punonjësve.
Përveç tyre, 49 punonjës të tjerë janë kapur në ambientet e call center-it gjatë punës dhe ndaj tyre ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.
Sipas policisë, ndërhyrja u bë pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se në këtë ambient kryhej mashtrim kompjuterik.
Operacioni u finalizua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike të DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi 107 pajisje që dyshohet se përdoreshin për veprimtarinë e paligjshme.
Mes tyre janë 94 kompjuterë, 11 celularë dhe 2 iPad, si dhe materiale të tjera që pritet t’i shërbejnë hetimit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme. /skyweb.al















