Bateritë për akumulimin e energjisë po kthehen në një nga teknologjitë më të rëndësishme të tranzicionit energjetik, ndërsa Kina ka krijuar një epërsi të fortë në prodhimin dhe instalimin e tyre.
Brenda pesë viteve, kapaciteti kinez i akumulimit të energjisë është rritur nga më pak se 4 gigavat në rreth 155 gigavat, sasi që do të mjaftonte për të mbështetur përkohësisht konsumin e Teksasit dhe Kalifornisë gjatë një dite të nxehtë vere. Pekini synon ta çojë kapacitetin në 300 gigavat deri në vitin 2030.
Sistemet përbëhen zakonisht nga grupe të mëdha baterish të vendosura në struktura me përmasat e kontejnerëve. Ato akumulojnë energjinë e prodhuar gjatë orëve me diell ose erë dhe e hedhin atë në rrjet kur prodhimi bie ose kërkesa rritet.
Kjo teknologji është thelbësore për energjinë diellore dhe atë të erës, pasi këto burime nuk prodhojnë vazhdimisht. Pa bateri, një pjesë e energjisë së prodhuar në orët me ofertë të lartë mund të mos shfrytëzohet, ndërsa në mbrëmje rrjeti duhet të mbështetet te burime të tjera.
Rritja e konsumit nga qendrat e të dhënave dhe inteligjenca artificiale po e shton edhe më shumë nevojën për sisteme të tilla. Qendrat e mëdha kompjuterike kërkojnë furnizim të pandërprerë, ndërkohë që prodhimi nga burimet e rinovueshme ndryshon gjatë ditës.
Dominimi kinez nuk kufizohet vetëm te instalimet brenda vendit. Në fillim të vitit 2026, dhjetë furnizuesit më të mëdhenj botërorë të sistemeve të akumulimit ishin kompani kineze, të cilat kontrollonin rreth 90% të tregut global.
Edhe SHBA-ja, tregu i dytë më i madh me rreth 57 gigavat kapacitet, mbetet e varur nga furnizuesit kinezë. Mbi 90% e sistemeve të instaluara atje gjatë vitit të kaluar përdorën qeliza baterish të prodhuara në Kinë.
Përparësia e Kinës lidhet edhe me koston. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, çmimet e paketave të baterive në Kinë gjatë vitit 2025 ishin rreth 30% më të ulëta se në SHBA dhe 35% më të ulëta se në Evropë.
Teknologjia më e përdorur është litium-hekur-fosfat, e njohur si LFP, e cila kushton më pak dhe është e përshtatshme për impiantet stacionare të akumulimit. Në vitin 2025, këto bateri ishin mesatarisht mbi 40% më të lira se alternativat me nikel, mangan dhe kobalt.
Një nga kompanitë kryesore është CATL, prodhuesja më e madhe botërore e baterive. Kompania pret që akumulimi i energjisë të përbëjë gjysmën e shitjeve të saj globale deri në vitin 2030, nga rreth 25% aktualisht dhe vetëm 2% pesë vite më parë.
Epërsia kineze po ngre shqetësime gjeopolitike në Uashington dhe Evropë, pasi vendet perëndimore po përpiqen të zhvillojnë prodhim vendas dhe të zvogëlojnë varësinë nga një furnizues i vetëm.
Megjithatë, krijimi i një zinxhiri alternativ kërkon investime të mëdha dhe kohë. Për momentin, kompanitë kineze kanë avantazh në lëndët e para, përpunimin, prodhimin e qelizave dhe montimin e sistemeve të gatshme.
Akumulimi i energjisë po hyn edhe në Shqipëri
Çështja e akumulimit të energjisë diellore po trajtohet edhe në Shqipëri, ku disa kompani kanë paraqitur pranë Entit Rregullator të Energjisë kërkesa për ndryshimin ose saktësimin e licencave të prodhimit.
Krahas instalimit dhe operimit të impianteve fotovoltaike, kompanitë kërkojnë të shtojnë edhe sisteme baterish për akumulimin e energjisë së prodhuar.
Në disa vendime të vitit 2026, ERE ka shqyrtuar kërkesa për përfshirjen në licencë të sistemeve të akumulimit ose depozitimit si vepra ndihmëse, pa ndryshuar kapacitetin prodhues të centraleve. Rastet përfshijnë impiante me kapacitet 10 MW dhe 50 MW.
Qëllimi është që energjia e prodhuar në mesditë, kur prodhimi diellor është i lartë dhe çmimet mund të jenë më të ulëta, të akumulohet në bateri dhe të shitet më vonë gjatë orëve të pikut.
Kjo u lejon kompanive të mos e shesin të gjithë energjinë në momentin kur prodhohet, por ta hedhin në treg atëherë kur kërkesa dhe çmimi janë më të larta.
Akumulimi mund të rrisë fitimin e parqeve fotovoltaike, të kufizojë humbjen e energjisë dhe të ndihmojë në balancimin e sistemit elektrik shqiptar.
Zhvillimi është veçanërisht i rëndësishëm për Shqipërinë, ku prodhimi po zgjerohet përtej hidrocentraleve dhe po shtohen investimet në energjinë diellore. Sa më shumë kapacitete fotovoltaike të lidhen me rrjetin, aq më e madhe bëhet nevoja për bateri që të zhvendosin përdorimin e energjisë nga orët e prodhimit drejt orëve të konsumit maksimal.
Në këtë mënyrë, gara e ardhshme në sektorin energjetik nuk do të lidhet vetëm me ndërtimin e paneleve diellore dhe turbinave me erë, por edhe me aftësinë për ta akumuluar energjinë dhe për ta shitur atë në momentin më të favorshëm. /skyweb.al
















