Një kështjellë historike me vlerë rreth 2.6 milionë euro është vënë në fokus të hetimeve ndaj biznesmenit Ermal Beqiri, i arrestuar në Francë dhe në pritje të procedurave të ekstradimit drejt Shqipërisë.
Sipas raportimeve të mediave franceze, autoritetet po verifikojnë lidhjen e tij me pronën luksoze dhe mundësinë e sekuestrimit të saj. Bëhet fjalë për Château d’Auteuil, një rezidencë historike në Berneuil-en-Bray, në departamentin Oise, rreth 70 kilometra në veri të Parisit.

Kështjella është e regjistruar si monument historik dhe dallohet për arkitekturën klasike, hendekët me ujë dhe parkun e madh që e rrethon.

Prona ka një sipërfaqe të deklaruar prej rreth 1,200 metrash katrorë dhe afro 50 dhoma.
Një pjesë e saj funksionon si strukturë turistike dhe përdoret për akomodim, ceremoni dhe evente private.
Në platformën Tripadvisor ofrohen pesë suita luksoze, me çmime që nisin nga rreth 130 euro dhe mund të kalojnë 250 euro për natë.
Pjesa tjetër e ndërtesës përdoret si rezidencë dhe për organizimin e aktiviteteve të ndryshme. Objekti është rindërtuar në mesin e shekullit XIX mbi themelet e një kështjelle më të hershme.
Prej vitit 2003, ai i është nënshtruar restaurimit dhe është kthyer në një destinacion turistik, duke ruajtur statusin e monumentit historik.

Emri i pronës u bë publik pas njoftimeve se autoritetet shqiptare dhe franceze kanë identifikuar në Francë një rezidencë që dyshohet se lidhet me biznesmenin.
SPAK ka bërë të ditur se hetimi pasuror përfshin gjithashtu llogari bankare me mbi 2 milionë euro, apartamente, automjete dhe një avion turistik.

Autoritetet po verifikojnë nëse këto pasuri janë krijuar me të ardhura me origjinë kriminale, ndërsa deri në përfundimin e hetimeve pronësia dhe burimi i financimit mbeten objekt verifikimi.
Beqiri u ndalua në Francë pas një fluturimi me avion të vogël mbi centralin bërthamor Penly.

Ndaj tij Shqipëria ka kërkuar ekstradimin në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen e tenderëve të AKSHI-t.
Procesi për kalimin e tij në duart e autoriteteve shqiptare pritet të shqyrtohet nga drejtësia franceze. /skyweb.al















