Erisa Kryeziu
Rreth një dekadë pasi reforma administrativo-territoriale reduktoi numrin e njësive të qeverisjes vendore nga më shumë se 300 komuna dhe bashki në 61 bashki, Partia Socialiste po propozon një tjetër organizim të hartës administrative të vendit.
Sipas propozimit, numri i bashkive reduktohet nga 61 në 46. Reforma shkrin 15 bashki, duke i bashkuar qendrat që janë pranë gjeografikisht.
Drafti parashikon shkrirjen e Fushë-Arrëzit me Pukën; Klosit me Matin; Rrogozhinës me Kavajën; Dimalit dhe Poliçanit me Beratin; Patosit me Fierin; Divjakës me Lushnjën; Selenicës me Vlorën; Maliqit me Korçën; Këlcyrës me Përmetin; Memaliajt me Tepelenën; Libohovës me Gjirokastrën; Cërrikut dhe Belshit me Elbasanin dhe Përrenjasit me Librazhdin.

Për realizimin e reformës së re administrativo-territoriale u ngrit një komision i posaçëm që paraqiti një analizë, rekomandime dhe propozime ligjore mbi organizimin e ri territorial, sistemin e financave vendore dhe aksesin në shërbime publike. Mandati i këtij komisioni vijon deri në korrik 2026. Në qarqet e vendit u zhvilluan takime me qytetarët, por në propozimin e PS-së nuk duken të reflektuara kërkesat e tyre.
Mazhoranca argumenton se reforma synon rritjen e efikasitetit të administrimit vendor dhe përshtatjen e hartës territoriale me realitetin demografik të vendit. Megjithatë, në disa prej bashkive që preken nga kjo nismë kanë nisur kundërshtimet.
Përrenjasi ka kundërshtuar publikisht së fundmi shkrirjen e bashkisë. Qytetarët janë organizuar në protestë, kanë nisur mbledhjen e firmave për një peticion, si dhe kanë krijuar një grupim qytetar të quajtur “Aleanca për Mbrojtjen e Përrenjasit”, për të kundërshtuar bashkimin administrativ me Librazhdin.
“Nuk na pyeti askush”
Protesta shënon herën e parë që qytetarë të të gjitha bindjeve politike në Përrenjas janë organizuar në tubim dhe diskutime publike për të shprehur kundërshtinë e tyre ndaj shkrirjes së bashkisë.
“Peticioni është nënshkruar nga afro 5 800 qytetarë dhe procesi vazhdon. Do t’ia dërgojmë Kryeministrisë, Kuvendit, Ministrisë së Brendshme, Komisionit për Reformën Administrative Territoriale, por edhe delegacionit të Bashkimit Evropian dhe ambasadave”, i tha Citizens.al Ardit Facja, banor i Përrenjasit dhe një nga nismëtarët e organizimit qytetar.
Sipas tij, shqetësimi kryesor nuk është vetëm ndryshimi në hartë, por humbja graduale e funksioneve të qytetit, duke çuar në shpopullimin e tij.
“Të gjitha drejtoritë do të ikin në Librazhd. Këtu do të mbeten vetëm përgjegjës dhe punëtorë mirëmbajtjeje. Kjo ndodhi edhe me njësitë administrative”, u shpreh Facja.
Për Ardit Facen, ky kundërshtim nuk është vetëm emocional, për shkak të përkatësisë kulturore dhe gjeografike me zonën, por lidhet edhe me shërbimet që qytetarët i merrnin më pranë banesave të tyre dhe me zhvillimin e qytetit së fundmi.
“Brenda tre-katër viteve janë ndërtuar gjashtë pallate dhe janë shitur të gjitha apartamentet. Ka emigrantë që janë kthyer për të investuar, sepse e shohin Përrenjasin pranë Tiranës”, argumenton Facja.
Krijimi i “Aleancës për Mbrojtjen e Përrenjasit”, sipas Faces, erdhi si nevojë për transparencë dhe për të përgatitur një dosje nga qytetarë të angazhuar në fusha të ndryshme, me të gjitha arsyet se pse kjo bashki duhet të qëndrojë e mëvetësishme.
“Do të mbledhim 1001 arsye pse Përrenjasi meriton të vetëqeveriset. Nuk është grupim politik. Është ndoshta i vetmi rast që ka bashkuar të gjitha bindjet politike dhe fetare”, përfundoi Ardit Facja.
Reforma e vitit 2014: një nevojë reale, por me rezultate të paplota
Sipas drejtorit ekzekutiv të Institutit për Studime Politike (ISP), Afrim Krasniqi, reforma e vitit 2014 ishte e domosdoshme.
“Modeli i vjetër nuk ishte më funksional. Kishte ndryshuar demografia, kishte ndryshuar shpërndarja e popullsisë dhe ishte i nevojshëm një organizim i ri territorial.”
Ai kujton se reforma e parë u mbështet nga ekspertë dhe institucione ndërkombëtare, të cilët hartuan analiza dhe dokumente që shërbyen si bazë për vendimmarrjen. Megjithatë, sipas tij, procesi u deformua nga politika.
“Opozita nuk mori pjesë në reformë dhe, duke qenë me vetëm një palë politike, në momentin e fundit grupet lobuese brenda Partisë Socialiste dhe aleatëve të vet krijuan bashki të personalizuara në zona të caktuara, duke krijuar xhepa të vegjël, të cilët u vunë në funksion të votës në parlament”, argumenton Krasniqi.
Ndikim sipas Krasniqit, pati edhe nga grupe të caktuara interesi.
“Sidomos ata që quhen oligarkë, për të zgjeruar territoret e tyre dhe për të krijuar, sidomos në zonat bregdetare, bashki të cilat krijonin akses në realizimin e planeve dhe projekteve ekonomike, siç rezultoi më vonë”, u shpreh Krasniqi.
Por problemi më i madh, argumenton ai, nuk ishte vetë harta: “Kompetencat kryesore mbetën në duart e qeverisë qendrore.”
“Një reformë territoriale ka vlerë kur bëhet reforma dhe jepet kompetenca, jepet buxheti, delegohet përgjegjësi dhe bëhet një pushtet vendor solid dhe funksional. Jo të bësh reformën dhe të mbash kompetencat kryesore, siç bëri qeveria qendrore, dhe prandaj të gjitha projektet e mëdha nga Velipoja në Sarandë janë vendimmarrje e qeverive qendrore”, shton më tej Krasniqi.
Edhe Agron Haxhimali, ekspert për pushtetin vendor, vlerëson se reforma zgjidhi pjesërisht fragmentimin territorial, por nuk arriti objektivat kryesore.
“Pra, 312 njësitë administrative, ish-komunat, vijojnë të mbajnë fragmentarizimin në territor dhe administratë, edhe pse me një rol aspak funksional. Administrata vendore është rritur ndjeshëm, ndërsa në shumë zona rurale largësia nga qendra e bashkisë ka dobësuar aksesin në shërbime dhe përfaqësimin“, u shpreh Haxhimali për Citizens.al
Në të njëjtin përfundim arrin edhe një analizë e Institutit për Studime Politike, e cila vëren se reforma uli fragmentimin territorial, por nuk u shoqërua me decentralizim të plotë financiar dhe funksional. Raporti rekomandon që çdo ndërhyrje e re të bazohet në një vlerësim të plotë të reformës ekzistuese, konsultim publik dhe standarde të qarta të qeverisjes vendore.
Reforma e re, pa analizë dhe konsultime
Sipas Afrim Krasniqit, Shqipëria ka nevojë për një rishikim të reformës së vitit 2014, sidomos në aspektin e kompetencave, por edhe në menaxhimin më të mirë të aseteve publike dhe në lidhjen e qytetarëve me shtetin.
Megjithatë, sipas Krasniqit, komisioni i reformës, i ngritur si dypartiak, nuk bazohet në të drejtën e vetos.
“Do të thotë se bazohet në shumicë votash, kështu që mazhoranca e ka shumicën e votave dhe nuk kishte presion nga opozita për të ndikuar në vendimmarrje”, argumenton Krasniqi.
“Mungoi faza e vlerësimit, çfarë ka shkuar mirë dhe çfarë ka shkuar keq për të çuar pastaj një vendimmarrje të re. Ne kemi retorikë politike, por nuk kemi dokumente të shkruara që e provojnë këtë gjë”, u shpreh Krasniqi, duke shtuar se mazhoranca pranon gabimet që kanë ndodhur, por jo fryrjen e administratës lokale pasi e sheh si bazë kryesore të punësimit.
Kësisoj, Krasniqi e sheh reformën aktuale si një “non sens”.
“Vendimmarrja nuk është e komisionit, as e bashkëkryetarëve; është e niveleve shumë të larta politike, për sa kohë që z. Rama e ka bërë të qartë se si e do parlamentin dhe qeverisjen vendore: si shtojcë të qeverisjes qendrore”, argumenton Krasniqi.
Sipas tij, Shqipëria është rasti i parë në Evropë ku kryeministri, gjatë një mandati, ka mbledhur disa herë kryetarët e bashkive dhe u ka kërkuar llogari.
“U ka urdhëruar shkarkimin e stafit dhe ata i kanë shkarkuar. Është një koncept krejtësisht antidemokratik për të treguar që pushteti qendror praktikisht e ka lënë plotësisht në hije pushtetin vendor dhe koncepti i z. Rama është i tillë për reformën e re”, argumenton Krasniqi.
Për Agron Haxhimalin, vendi ka nevojë për korrigjime në aspektin administrativ, por këto nuk duhet të vijnë detyrimisht me shkrirjen e bashkive për shkak të numrit të ulët të banorëve apo të ardhurave të ulëta.
“Ka nevojë për rregullime të sistemit dhe jo arnime apo shkrirje bashkish. Funksionaliteti duhet matur me një grup treguesish: financat, kapacitetet administrative, koston dhe cilësinë e shërbimeve, aksesin territorial, zhvillimin ekonomik dhe aftësinë për të ushtruar kompetencat që ligji i ka dhënë”, argumenton Haxhimali.
Ekspertët nuk ngurrojnë të shohin edhe ndikimin politik në reformë.
“Harta territoriale është njëkohësisht hartë administrative, politike dhe elektorale. Pikërisht për këtë arsye kufijtë nuk duhet të projektohen duke nisur nga rezultati zgjedhor, por nga kritere transparente: popullsia, territori, funksionaliteti, shërbimet, ekonomia dhe përfaqësimi i komuniteteve”, u shpreh Haxhimali.
Për Afrim Krasniqin, kjo reformë vjen si nevojë para zgjedhjeve, për interesa elektorale dhe strategji politike, dhe jo nga interesi për një reformë reale.
“E majta nuk niset nga nevoja e një strategjie të zhvillimit të Shqipërisë në dy-tri dekadat e ardhshme, por nga nevojat elektorale të vitit të ardhshëm dhe kjo dobëson konceptin e së majtës: centralizim të bashkive, numër të kufizuar dhe burime të centralizuara, të kontrolluara nga qeveria, krijim të zonave të sigurta”, argumenton Krasniqi.
Krasniqi nuk lë pa prekur as rolin e Partisë Demokratike në këtë proces, duke e konsideruar atë një paradoks.
“E djathta, në mënyrë paradoksale, pranon që ka ikje masive të qytetarëve në emigracion, 300-400 mijë, dhe nga ana tjetër kërkon rritjen e numrit të bashkive edhe në territore ku nuk ka qytetarë. Kjo vjen edhe për shkak të nevojës për të krijuar xhepa elektoralë dhe burime punësimi në ato territore që ajo mendon se mund t’i fitojë”, shprehet Krasniqi.
Problemi nuk është numri i bashkive
Për ekspertët, debati publik është përqendruar në pyetjen e gabuar. Në vend që të diskutohet nëse Shqipëria duhet të ketë 48, 61 apo 90 bashki, sipas tyre duhet të diskutohet se çfarë kompetencash kanë bashkitë dhe sa të pavarura janë ato.
Për Haxhimalin, ulja e numrit të bashkive nuk është ulje e problemeve.
“Pa decentralizim real, financim të mjaftueshëm dhe kompetenca efektive, thjesht krijojmë bashki më të mëdha me të njëjtat dobësi dhe qytetarin edhe më larg qendrës së vendimmarrjes”, u shpreh Haxhimali për Citizens.al.
“Prioriteti nuk është vetëm një hartë e re, por një Model i Qeverisjes Vendore 2.0: decentralizim real fiskal dhe funksional, financim sipas përgjegjësive, forcim i autonomisë vendore, sistemi zgjedhor vendor, profesionalizim i administratës dhe përmirësim i përfaqësimit të zonave rurale. Reforma territoriale duhet të jetë pjesë e kësaj pakete dhe jo zëvendësim për të”, argumenton Haxhimali.
Edhe Krasniqi argumenton se reforma duhet të ishte pjesë e një modeli të ri të qeverisjes vendore dhe jo thjesht një rishpërndarje territoriale. Ai sjell edhe një krahasim me vendet e Bashkimit Evropian.
“Shqipëria po hyn në BE dhe duke dashur të hyjë në BE duhet të pranojë standardet e BE-së. Na rezulton se koha për reformë në vendet e BE-së ka zgjatur tre deri në shtatë vjet. Kurse në Shqipëri duan ta bëjnë për tre deri në shtatë muaj, ky është dallim i madh”, argumenton Krasniqi, duke shtuar se në BE qytetarët pyeten përmes referendumeve dhe asambleve të përfaqësimit.
“Në Shqipëri nuk pyeten as asambletë, as këshillat bashkiakë, as elementet e tjera. Bëhet një konsultim formal ku dalin pro dhe kundër, zakonisht sipas linjave partiake, por nuk ndodh asgjë, mendimet nuk merren në konsideratë dhe nuk ka një tregues matës për të treguar që qytetarët i mbështesin”, shton më tej Afrim Krasniqi.
Këshilli i Europës kundër centralizimit të pushtetit vendor
Ndërsa qeveria argumenton se ulja e numrit të bashkive do të rrisë efikasitetin e qeverisjes vendore, një projekt-raport monitorimi i Këshillit të Europës sugjeron një qasje të ndryshme.
Sipas raportuesve Anders Knape dhe Sören Schumacher, në një raport monitorimi për zbatimin e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore në Shqipëri, çdo reformë e re administrativo-territoriale duhet të bazohet fillimisht në një vlerësim të plotë të reformës së vitit 2014, në konsultim real me bashkitë dhe komunitetet lokale, si dhe në respektimin e parimeve të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore.
Raporti argumenton se problemet e pushtetit vendor nuk lidhen kryesisht me numrin apo madhësinë e bashkive, por me centralizimin e kompetencave, autonominë e kufizuar, financimin e pamjaftueshëm dhe mungesën e kapaciteteve administrative. Për këtë arsye, raportuesit paralajmërojnë se bashkimi i mëtejshëm i bashkive nuk do të zgjidhë automatikisht këto problematika.
Raporti ngre shqetësime edhe për autonominë e kufizuar të bashkive në ushtrimin e funksioneve të deleguara, si arsimi, menaxhimi i mbetjeve apo furnizimi me ujë, duke theksuar se mungesa e financimit dhe personelit i detyron ato të mbulojnë këto shërbime nga buxhetet e tyre./Citizens.al















