Në një fshat të vogël të Emilia-Romagna-s, ekonomia lokale është lidhur prej shekujsh me një produkt të pazakontë, një djathë që “varroset” nën tokë për rreth 100 ditë.
Bëhet fjalë për Formaggio di Fossa, djathi tradicional i Sogliano al Rubicone, i cili stazhionohet në zgavra të hapura në shkëmbin ranor dhe sot është kthyer në një nga burimet kryesore ekonomike të zonës.

Tradita daton që nga Mesjeta, kur banorët përdornin këto zgavra për të ruajtur drithërat dhe ushqimet nga prishja dhe grabitjet. Me kalimin e kohës, ata zbuluan se djathi i mbajtur nën tokë jo vetëm ruhej, por fitonte një shije dhe aromë krejt të veçantë.
Zgavrat arrijnë rreth tre metra thellësi. Ato pastrohen dhe dezinfektohen me zjarr, vishen me kallamishte dhe kashtë, ndërsa djathi vendoset në thasë pëlhure dhe mbyllet brenda.
Procesi nis zakonisht në gusht dhe “fosse”-t hapen rreth 100 ditë më vonë. Gjatë kësaj kohe, fermentimi ndryshon strukturën dhe aromën e produktit, duke i dhënë një shije më të fortë dhe pikante.
Por sot Formaggio di Fossa nuk është vetëm një traditë gastronomike.

Sipas të dhënave të cituara nga Corriere della Sera, vetëm në Sogliano al Rubicone tregu i këtij djathi vlerësohet në rreth 1 milion euro në vit, ndërsa çmimi arrin afërsisht 40 euro për kilogram.
Rreth tij është krijuar një ekonomi e tërë me prodhues, dyqane, restorante, degustime dhe vizita turistike. Çdo vit organizohen edhe aktivitete kushtuar traditës së “fossatura”-s.
Interesi i turistëve është rritur, ndërsa shumë vizitorë udhëtojnë posaçërisht drejt fshatit për të parë se si djathi futet dhe nxirret nga zgavrat nëntokësore.
Rajoni Emilia-Romagna e konsideron këtë trashëgimi nëntokësore një burim kulturor dhe ekonomik, ndërsa në qendër të Sogliano-s është ngritur edhe një muze i dedikuar traditës.
Në vitin 2009, Formaggio di Fossa di Sogliano mori statusin DOP, duke mbrojtur zyrtarisht origjinën dhe metodën tradicionale të prodhimit.
Kështu, një teknikë e lindur shekuj më parë për të mbijetuar dhe ruajtur ushqimin është kthyer sot në një nga arsyet kryesore pse ky fshat vazhdon të tërheqë turistë, biznes dhe të ardhura. /skyweb.al
















