Lufthansa Group ka mbyllur tremujorin e dytë të vitit 2026 me një rënie të fortë të fitimit, pavarësisht rritjes së të ardhurave dhe kërkesës së lartë për udhëtime.
Fitimi operativ i grupit arriti në 383 milionë euro, më pak se gjysma e 870 milionë eurove të regjistruara në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, të ardhurat u rritën me 8%, duke arritur në 11.1 miliardë euro.
Në rezultatet financiare kanë peshuar veçanërisht kostot më të larta të karburantit. Sipas kompanisë, rritja e çmimeve pas tensioneve dhe konfliktit në Lindjen e Mesme solli rreth 750 milionë euro kosto shtesë.
Një tjetër goditje erdhi nga grevat e muajit prill. Gjashtë ditët e ndërprerjeve të punës nga pilotët, ekuipazhet e kabinës dhe personeli tokësor i kushtuan grupit të paktën 150 milionë euro.
Si pasojë, fitimi neto i Lufthansa Group ra ndjeshëm, nga rreth 1 miliard euro një vit më parë në vetëm 123 milionë euronë tremujorin e dytë të këtij viti.
Rënia e fitimeve nuk lidhet me mungesën e pasagjerëve. Avionët e grupit operuan me një koeficient mbushjeje prej 81.6%, ndërsa çmimet mesatare të biletave shënuan rritje. Në linjat drejt Azisë, tarifat ishin mbi 13% më të larta, ndërsa kërkesa për kabinat premium mbeti e fortë.
Megjithatë, të ardhurat më të larta nga biletat nuk kanë qenë të mjaftueshme për të kompensuar rritjen e kostove, veçanërisht atë të karburantit.
Për shkak të pasigurisë, Lufthansa ka ndryshuar edhe parashikimin për të gjithë vitin 2026. Më parë grupi priste një fitim operativ “dukshëm” më të lartë se 1.96 miliardë eurot e vitit 2025, ndërsa tani parashikon një rezultat mes 1.7 dhe 2.2 miliardë eurove.
Drejtuesit e kompanisë argumentojnë se luhatjet e forta të çmimit të karburantit dhe tendenca e pasagjerëve për të rezervuar gjithnjë e më pranë datës së nisjes e bëjnë më të vështirë parashikimin e të ardhurave për muajt në vijim.
Ndërkohë, performancë më të mirë kanë shënuar aktivitetet jashtë transportit të pasagjerëve. Lufthansa Cargo e rriti rezultatin nga 73 në 116 milionë euro, ndërsa tarifat e transportit ajror të mallrave u rritën me 27%.
Edhe Lufthansa Technik, divizioni i mirëmbajtjes së avionëve, raportoi një rritje prej 11% të të ardhurave, duke ndihmuar në zbutjen e ndikimit të rezultateve më të dobëta të biznesit të pasagjerëve. /skyweb.al
















