Tregjet ndërkombëtare janë vendosur sërish nën presion pas paralajmërimit të presidentit amerikan Donald Trump për nisjen e një “D-Day ekonomik” kundër Iranit, një fazë e re përshkallëzimi që pritet të godasë jo vetëm Teheranin, por edhe vendet që vazhdojnë ta mbështesin ekonomikisht.
Në qendër të strategjisë amerikane është Kina, blerësi kryesor i naftës iraniane dhe një nga kanalet më të rëndësishme që i siguron Teheranit të ardhura dhe akses në tregtinë ndërkombëtare.
Trump paralajmëroi se çdo vend që lejon bankat, kompanitë, aeroportet apo institucionet e tij shtetërore të ofrojnë mbështetje ekonomike për Iranin do të përballet me pasoja të rënda nga SHBA.
Presidenti amerikan nuk bëri të ditura masat konkrete, por deklarata erdhi menjëherë pas paralajmërimit të Sekretarit të Thesarit, Scott Bessent, se Uashingtoni ishte gati të ndërmerrte një valë të re masash ekonomike.
Lëvizja sinjalizon një zhvendosje të presionit amerikan nga fusha ushtarake drejt një përballjeje më të gjerë ekonomike, pasi javët e bombardimeve dhe bllokada nuk kanë sjellë kapitullimin e Iranit.
Për tregjet, shqetësimi kryesor lidhet me mundësinë që SHBA të shkojë drejt një përplasjeje të re ekonomike me Pekinin. Kina blen pothuajse të gjithë naftën iraniane që arrin ende të dalë në tregjet ndërkombëtare.
Një përshkallëzim me Kinën do të vinte gjithashtu në pikëpyetje përpjekjet e Trump për të ruajtur armëpushimin tregtar me presidentin Xi Jinping, i cili pritet të vizitojë SHBA-në muajin e ardhshëm.
Presioni ndaj Teheranit u shtua edhe pasi Emiratet e Bashkuara Arabe ndërprenë marrëdhëniet ekonomike me Iranin, duke goditur një prej partnerëve më të rëndësishëm tregtarë të vendit.
Objektivi i Uashingtonit është ta detyrojë Iranin të rikthehet në negociata, të heqë dorë nga programi bërthamor dhe të mundësojë rikthimin e trafikut normal në Ngushticën e Hormuzit.
Pikërisht situata në Hormuz po mban tregjet e energjisë në tension. Nafta amerikane WTI po tregtohet mbi 84 dollarë për fuçi, ndërsa Brent është pranë 92 dollarëve, pas disa seancave radhazi në rritje.
Hormuzi mbetet pika më e ndjeshme e krizës, pasi përmes tij kalonte rreth një e pesta e furnizimeve botërore me naftë bruto dhe gaz natyror të lëngshëm.
Ndërkohë, ekonomia iraniane po përballet me presion të fortë. Inflacioni raportohet pranë 80%, ndërsa monedha e vendit ka humbur rreth 30% të vlerës gjatë vitit 2026.
Uashingtoni synon të godasë edhe rrjetet që ndihmojnë Iranin të anashkalojë sanksionet, përfshirë transfertat cash, këmbimet valutore, kompanitë guaskë, regjistrimin e anijeve dhe rrjetet e kontrabandës së naftës.
Me kalimin nga presioni ushtarak te një ofensivë ekonomike më agresive, tregjet mbeten mbi “gjemba”, ndërsa qëndrimi i Kinës pritet të jetë vendimtar për mënyrën se si do të zhvillohet faza e ardhshme e konfliktit. /skyweb.al
















