Një analizë e re e AirAdvisor ka krahasuar 23 kompani ajrore europiane për të përcaktuar se cilat prej tyre rezultojnë më të shtrenjta në raport me distancën e fluturimit dhe kapacitetin e ofruar.
Studimi nuk është bazuar thjesht te çmimi i biletës së reklamuar, por te treguesi RASK – Revenue per Available Seat Kilometre, ose të ardhurat që kompania gjeneron për çdo kilometër të fluturuar për secilën ndenjëse të disponueshme.
Në këtë tregues përfshihen jo vetëm të ardhurat nga bileta, por edhe pagesat shtesë të pasagjerëve, si tarifat për bagazhet apo përzgjedhjen e vendit. Në përgjithësi, sa më i lartë RASK, aq më e kushtueshme rezulton kompania për udhëtarët.
Widerøe më e shtrenjta, British Airways kryeson kompanitë e mëdha
Në krye të listës së AirAdvisor qëndron kompania norvegjeze Widerøe, me një RASK prej rreth 0.32 eurosh.
Shifra dukshëm më e lartë se pjesa tjetër e kompanive lidhet edhe me modelin e saj të operimit. Widerøe fluturon kryesisht drejt aeroporteve të vogla rajonale në Norvegji dhe operon me një rrjet dhe flotë më të kufizuar.
Sipas AirAdvisor, kompanitë më të vogla kanë shpesh kosto më të larta për pasagjer, për shkak të numrit më të vogël të linjave, flotave më të vogla dhe destinacioneve ku konkurrenca është më e kufizuar.
Mes kompanive të mëdha tradicionale europiane, British Airways rezulton më e shtrenjta, me një RASK prej 0.0888 eurosh në vitin 2025, nga 0.085 euro një vit më parë.
Pas saj renditen Air France dhe Austrian Airlines, me rreth 0.085 euro për kilometër/njësi vendi, ndërsa shumë pranë janë Lufthansa, Aegean Airlines, KLM dhe ITA Airways.
Renditja vijon me:
- Widerøe – 0.32 euro
- British Airways – 0.0888 euro
- Air France – 0.085 euro
- Austrian Airlines – 0.085 euro
- Lufthansa – 0.0845 euro
- Aegean Airlines – 0.0839 euro
- KLM – 0.0837 euro
- ITA Airways – 0.0836 euro
- SWISS – 0.083 euro
- Aer Lingus – 0.0807 euro
- Brussels Airlines – 0.0797 euro
- Eurowings – 0.0782 euro
- SAS – 0.0758 euro
- Vueling – rreth 0.079 euro
- Turkish Airlines – 0.0729 euro
- Iberia – 0.0708 euro
- TAP Portugal – 0.0696 euro
- Norwegian Air Shuttle – 0.068 euro
- Transavia – 0.0664 euro
- Finnair – 0.0622 euro
Finnair më ekonomikja mes kompanive tradicionale
Nëse krahasimi kufizohet te kompanitë tradicionale dhe kombëtare, Finnair del si një nga alternativat më ekonomike, me një RASK prej 0.0622 eurosh.
Kjo e vendos kompaninë finlandeze dukshëm poshtë British Airways, Air France, Lufthansa, KLM apo SWISS për sa i përket të ardhurave të gjeneruara për çdo kilometër dhe vend të disponueshëm.
Studimi tregon gjithashtu se kostot për pasagjerët kanë shfaqur përgjithësisht një tendencë në rënie. Nga 14 kompanitë për të cilat AirAdvisor dispononte të dhëna të krahasueshme për vitet 2024 dhe 2025, vetëm pesë regjistruan rritje të RASK, ndërsa nëntë të tjera shënuan rënie.
Po Ryanair, easyJet dhe Wizz Air?
Kompanitë low-cost, si Wizz Air, easyJet dhe Ryanair, shfaqin sigurisht nivele më të ulëta të RASK dhe për këtë arsye renditen në fund të tabelës së AirAdvisor.
Megjithatë, krahasimi i drejtpërdrejtë me kompanitë tradicionale duhet bërë me kujdes.
Modeli i kompanive low-cost bazohet zakonisht në një tarifë bazë shumë të ulët, e cila në shumë raste përfshin vetëm udhëtimin me një çantë të vogël personale. Valixhja e kabinës, bagazhi i regjistruar, zgjedhja e vendit, check-in-i në disa raste apo shërbime të tjera tarifohen veçmas.
Për këtë arsye, çmimi fillestar i një bilete me Wizz Air, Ryanair apo easyJet mund të jetë shumë më i ulët, por kostoja totale mund të rritet ndjeshëm sapo udhëtari shton bagazhe apo shërbime të tjera.
Në të dhënat e AirAdvisor, Wizz Air ka RASK 0.0433 euro, easyJet 0.0521 euro dhe Ryanair 0.0556 euro, por këto shifra duhen parë në kontekstin e modelit të tyre low-cost dhe jo domosdoshmërisht si provë se një udhëtim i plotë me këto kompani do të jetë gjithmonë më i lirë.
Për udhëtarët, krahasimi më i vlefshëm mbetet ai i çmimit përfundimtar të udhëtimit, pasi janë shtuar bagazhet dhe shërbimet që realisht u nevojiten. /skyweb.al















