Vetëm shtatë ditë në regjistrin e bizneseve i kanë mjaftuar një kompanie të re për t’u shfaqur si zhvilluese e një kompleksi me godina deri në 23 kate në Tiranë. Me kapital të regjistruar prej 5 mijë eurosh dhe pa një histori të dokumentuar në ndërtime të mëdha, “Nion” sh.p.k. i bashkohet listës së shoqërive që dalin pothuajse nga hiçi për të ndërtuar kulla në kryeqytet.
Shoqëria është themeluar më 18 korrik 2026 nga Kristi Joti, i cili zotëron të gjithë kapitalin e saj. Regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit është kryer më 23 korrik. Një javë më pas, më 30 korrik, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit miratoi lejen për projektin shumëkatësh.

Projekti parashikon godina banimi dhe shërbimi me 9, 19, 21 dhe 23 kate mbi tokë, si dhe katër kate nëntokë. Një kompleks i këtyre përmasave kërkon financim të konsiderueshëm, organizim dhe kapacitete teknike, ndërsa kompania zhvilluese sapo kishte nisur ekzistencën e saj në regjistrin tregtar.

Nga kërkimet publike të Skyweb.al nuk u identifikua një faqe zyrtare interneti e “Nion”, një portofol punimesh të përfunduara apo gjurmë të tjera që dokumentojnë përvojën e saj në ndërtim. Profili publik i shoqërisë mbetet i kufizuar, megjithëse projekti që ka marrë përsipër shtrihet në disa godina shumëkatëshe. Kompania rezulton se ka vetëm tabelën në hyrjen e zyrave të saj.
Pak ditë më parë, Skyweb.al solli edhe rastin e “Xhek Construction”, kompanisë që mori leje për kullën “M-21” në Tiranë, me 26 kate mbi tokë dhe gjashtë kate nëntokë. Shoqëria ishte regjistruar më 1 prill 2026, vetëm rreth tre muaj e gjysmë përpara mbledhjes së KKTU-së të 17 korrikut.
Ajo zotërohet tërësisht nga zonja Matilda Dyrkaj dhe ka kapital të regjistruar prej 500 mijë lekësh. Në kohën e verifikimit, kompania nuk kishte ende bilanc financiar publik për të vlerësuar asetet dhe kapacitetin e saj financiar.
Në faqen e internetit paraqiteshin projekte të tjera, por seksioni i historikut nuk jepte informacion mbi përvojën e mëparshme të shoqërisë.
Kompania me kapital vetëm 6 mijë euro merr leje për kullë 26 kate në Tiranë!
Këto nuk janë raste të izoluara. Skyweb.al ka raportuar më herët edhe për “G&E Investment”, një shoqëri me kapital prej 100 mijë lekësh dhe bilance pa aktivitet për vitet 2022 dhe 2023, e cila më pas u shfaq pas projekteve të kullave në Tiranë dhe Vlorë.
Në tregun e ndërtimeve po shfaqen kështu shoqëri me kapital minimal, pak aktivitet të dokumentuar dhe pronarë pa një profil publik të njohur në zhvillimin e projekteve të mëdha.
Financimi mund të vijë edhe nga burime përtej kapitalit të regjistruar. Megjithatë, në rastet e mësipërme, informacioni publik i paraqitur nuk e shpjegon qartë këtë financim. /skyweb.al
















