Shqipëria po konsolidohet si një nga destinacionet turistike më tërheqëse të Ballkanit. Në një artikull të publikuar në median franceze “Ulysse.com”, gazetari Luc Rongier veçon pasuritë natyrore, qytetet historike dhe zhvillimin e infrastrukturës turistike në vend.
Sipas të dhënave të Organizatës së Turizmit të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria priti 11,9 milionë vizitorë në vitin 2025, shifër që përfaqëson një rritje prej 3,3% krahasuar me vitin 2024 dhe 93,6% më shumë se në vitin 2019.
Artikulli thekson se rritja e turizmit është ndihmuar edhe nga fluturimet me kosto të ulët dhe lidhjet e reja ajrore me qytetet evropiane. Tirana përmendet si një pikë kryesore hyrëse, ndërsa kryeqyteti ofron një kombinim të historisë, kulturës dhe jetës së natës.
Në veri, Shkodra dhe Alpet Shqiptare tërheqin turistë përmes Liqenit të Shkodrës, Kalasë së Rozafës dhe shtigjeve të ecjes, veçanërisht itinerarit Valbonë-Theth.
Ndërkohë, Riviera Shqiptare mbetet një nga atraksionet kryesore të vendit. Vlora, Dhërmiu, Saranda dhe Ksamili përmenden për plazhet dhe ujërat e kristalta, ndërsa hapja e hoteleve të reja po zgjeron më tej ofertën turistike.
Sipas Luc Rongier, kombinimi i natyrës, historisë, plazheve dhe aksesit gjithnjë e më të lehtë po e vendos Shqipërinë në vëmendjen e turistëve ndërkombëtarë.
















