Qytetarët që kanë përfituar të drejtën e pronësisë për banesa të vjetra të ndërtuara para vitit 1991, objekte pa titull, oborre në përdorim apo truall funksional, mund të regjistrojnë tashmë vendimin për kalimin e pronësisë përmes portalit e-Albania, pa qenë nevoja të paraqiten fillimisht fizikisht në Kadastër.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka publikuar procedurën që duhet të ndiqet për regjistrimin e vendimeve të nxjerra në zbatim të VKM nr. 827, duke shpjeguar hap pas hapi mënyrën e aplikimit online.
Procedura nis nga llogaria personale e qytetarit në e-Albania dhe vijon përmes shërbimeve të Kadastrës:
- Hyni në llogarinë personale në e-Albania dhe te seksioni “Shërbime” zgjidhni kategorinë “Pasuri e paluajtshme dhe prona”, më pas “Regjistrim dhe administrim prone”.
- Zgjidhni shërbimin “Aplikim për regjistrim e kalimit të pronësisë me anë të ligjit, me vendim të gjykatës, apo të një akti administrativ” dhe klikoni “Përdor”.
- Hapni një “Aplikim të ri” dhe plotësoni të dhënat e kërkuara në formular.
- Te nënshërbimet duhet të zgjidhet “Regjistrimi i kalimit të pronësisë me anë të aktit administrativ të lëshuar nga ASHK”.
- Sistemi shton automatikisht edhe shërbimet për lëshimin e certifikatës së pronësisë, kopjen e kartelës së pasurisë së paluajtshme dhe kopjen e fragmentit të hartës kadastrale.
- Plotësohen të dhënat e aplikantit ose përfaqësuesit dhe më pas zgjidhet prona për të cilën kërkohet regjistrimi. Nëse aplikanti vepron vetë, mund të shënojë opsionin se përfaqësuesi është i njëjtë me aplikantin.
- Ngarkohet dokumentacioni që kërkohet nga sistemi për rastin konkret, përfshirë aktin apo vendimin mbi të cilin mbështetet kalimi i pronësisë.
- Në përfundim dërgohet aplikimi. Sistemi gjeneron numrin e gjurmimit, ndërsa qytetari mund të kryejë pagesën online ose të shkarkojë mandatin për ta paguar në bankë apo pranë Postës Shqiptare.
Pas përfundimit të procedurës dhe shqyrtimit nga ASHK, regjistrimi i vendimit i hap rrugën pajisjes së pronarit me dokumentacionin e plotë të pasurisë, përfshirë certifikatën e pronësisë dhe dokumentet kadastrale.
Procedura ka rëndësi veçanërisht për qytetarët që disponojnë vendime për kalimin në pronësi të shtëpive të vjetra të ndërtuara para vitit 1991, oborreve në përdorim dhe trojeve funksionale, por ende nuk e kanë të regjistruar pronën në Kadastër.
ASHK këshillon që, përpara aplikimit, qytetarët të kontrollojnë dokumentacionin e kërkuar për rastin e tyre konkret, pasi dokumentet mund të ndryshojnë në varësi të aktit mbi të cilin mbështetet fitimi i pronësisë. /skyweb.al















