Administrata Tatimore ka publikuar një sërë sqarimesh për mënyrën se si zbatohet skema e kompensimit prej 10% për prodhuesit bujqësorë, kushtet që duhet të plotësojnë fermerët dhe procedurën që duhet të ndjekin për të marrë pagesën.
Sipas Tatimeve, norma e kompensimit është 10% dhe zbatohet mbi çmimin pa TVSH të mallrave dhe shërbimeve bujqësore të përcaktuara në ligjin për TVSH-në. Shuma që përfiton fermeri llogaritet duke shumëzuar normën 10% me vlerën totale të produkteve dhe shërbimeve bujqësore të furnizuara gjatë një periudhe gjashtëmujore.
Skema zbatohet për prodhuesit bujqësorë, qarkullimi vjetor i të cilëve nuk tejkalon kufirin minimal të regjistrimit për TVSH-në, që shesin mallra ose shërbime të prodhuara nga puna e tyre dhe që janë pajisur me NIPT nga Administrata Tatimore.
Një tjetër kusht është që furnizimet të bëhen ndaj personave të tatueshëm që nuk janë vetë pjesë e skemës së kompensimit.
Në praktikë, kur një grumbullues ose përpunues i regjistruar për TVSH blen produkte nga fermeri, blerësi lëshon faturën tatimore për llogari të prodhuesit bujqësor. Vlera e faturës përfaqëson shumën e furnizimit të paguar fermerit, mbi të cilën më pas aplikohet norma e kompensimit.
Kompensimi nuk paguhet nga blerësi, por nga Administrata Tatimore. Fermeri duhet të paraqesë kërkesën për kompensim, në rrugë elektronike ose përmes shërbimit postar, së bashku me kopjet e faturave dhe të dhënat e llogarisë bankare.
Për furnizimet e realizuara gjatë periudhës janar–qershor, kërkesa duhet të dorëzohet deri më 31 dhjetor të të njëjtit vit. Për furnizimet e kryera gjatë periudhës korrik–dhjetor, afati është deri më 30 qershor të vitit pasardhës.
Administrata Tatimore sqaron se kompensimi kryhet brenda 30 ditëve nga paraqitja e kërkesës.
Tatimet kanë sqaruar edhe rastet kur fermerët harrojnë të përfshijnë një pjesë të faturave në aplikim. Një çështje e dorëzuar në e-Filing dhe e pajisur me numër unik identifikimi nuk mund të ndryshohet më pas. Megjithatë, pasi aplikimi i parë të marrë statusin “Përfunduar” dhe brenda afatit ligjor, fermeri mund të hapë një kërkesë të re për faturat që nuk janë kompensuar më parë.
Nëse faturat nuk shfaqen në sistem për shkak të problemeve teknike, fermeri duhet t’i drejtohet Drejtorisë Rajonale Tatimore ku është i regjistruar, e cila duhet të kryejë verifikimet dhe ndërhyrjet e nevojshme.
Administrata Tatimore thekson gjithashtu se skema nuk zbatohet kur fermeri ua shet produktet individëve të paregjistruar si tatimpagues. Prodhuesit bujqësorë të përfshirë në këtë skemë nuk lëshojnë vetë faturë tatimore. Nëse duan të shesin drejtpërdrejt te konsumatori dhe të lëshojnë vetë faturë, duhet të regjistrohen pranë QKB-së si tatimpagues dhe t’u nënshtrohen rregullave të zakonshme të aktivitetit privat. /skyweb.al
















