Kompania “Vitanet Albania”, e njohur më parë si “Farma Net Albania”, është shpallur fituese e tenderit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për blerjen e bojës timbruese që përdoret gjatë votimit.
Sipas Vox News, KQZ-ja shpalli fituesin më 20 gusht 2026, në procedurën me objekt “Blerje bojë timbruese për procesin zgjedhor, MK 24 muaj”. Në garë rezulton të ketë marrë pjesë vetëm “Vitanet Albania”, me një ofertë prej 16.49 milionë lekësh, ose rreth 178 mijë euro.
Kompania është në pronësi të Sokol Topçiut, i cili zotëron 100% të kapitalit. Dokumentet e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se më 31 maj 2025 ai vendosi ndryshimin e emrit të shoqërisë nga “Farma Net Albania” në “Vitanet Albania”, pa ndryshuar selinë dhe aktivitetin e saj si depo farmaceutike.
“Farma Net Albania” është përmendur më herët në hetime dhe denoncime që lidhen me tenderët sekretë gjatë pandemisë së COVID-19, kontrabandën e barnave dhe furnizimin me medikamente të paregjistruara. Topçiu u arrestua në vitin 2021, pas një hetimi të prokurorisë për një rrjet të dyshuar të kontrabandës së ilaçeve.
Emri i tij është lidhur gjithashtu me tenderët e Ministrisë së Shëndetësisë gjatë drejtimit të saj nga Ogerta Manastirliu, ku janë ngritur dyshime për çmime më të larta se tregu dhe procedura të paracaktuara.
Pavarësisht historikut të kompanisë dhe ndryshimit të emrit, “Vitanet Albania” ka vijuar të përfitojë kontrata publike. Në bilancin e depozituar në QKB për vitin 2025, shoqëria deklaron një fitim prej 46.27 milionë lekësh, afro 500 mijë euro, i cili do të përdoret për investime.
















