Volkswagen është gati të shkurtojë një në shtatë vende pune.
Gjiganti gjerman i automobilave tha të enjten se drejtuesit e kompanisë dhe sindikatat kanë rënë dakord të shkurtojnë edhe 50,000 vende pune deri në fund të kësaj dekade, përveç 50,000 vendeve të punës që ishin planifikuar më parë të shkurtoheshin. Kjo e çon numrin total të shkurtimeve në 100,000 vende pune.
“Është thelbësore që nivelet e fuqisë punëtore të përshtaten në mënyrë sistematike me realitetet ekonomike”, tha grupi me 10 marka në një deklaratë.
Kompania shtoi se kishte miratuar një plan që parashikon “shkurtimin e rreth 50,000 vendeve të punës”, përveç 50,000 vendeve të tjera të rëna dakord më parë.
E goditur nga tarifat amerikane, kërkesa e paqëndrueshme për makinat elektrike dhe, mbi të gjitha, konkurrenca e ashpër nga dhe brenda Kinës, prodhuesi më i madh i automjeteve në Evropë po përballet me vështirësi të mëdha.
Grupi, i cili përveç markës Volkswagen përfshin edhe Audi dhe Porsche, kishte rënë më parë dakord për shkurtimin e rreth 50,000 vendeve të punës në mbarë botën.
Shkurtimet totale prej 100,000 vendesh pune do të përbëjnë ristrukturimin më të madh të kryer ndonjëherë në industrinë globale të automobilave, duke përfaqësuar rreth 15% të stafit të kompanisë në mbarë botën.
Këto shkurtime tejkalojnë rekordet e mëparshme të industrisë së automobilave. General Motors shkurtoi 74,000 vende pune dhe mbylli 21 fabrika në vitin 1991, ndërsa humbiste terren ndaj rivalëve japonezë. Në vitin 2009, gjatë ristrukturimit të saj për shkak të krizës financiare, kompania shkurtoi edhe 47,000 vende pune në mbarë botën.
Ford shkurtoi 35,000 vende pune dhe mbylli pesë fabrika në vitin 2002, ndërsa më vonë gjatë asaj dekade synoi të shkurtonte edhe dhjetëra mijëra vende të tjera pune përmes planit të saj “Ëay Forëard”. Tani, shifra prej 100,000 shkurtimesh e Volksëagen është më e madhja e regjistruar ndonjëherë në këtë industri.
Volksëagen tha gjithashtu se drejtuesit dhe sindikatat kishin rënë dakord se e ardhmja e katër fabrikave gjermane, në Hannover, Emden, Zwickau dhe Neckarsulm nuk mund të garantohej deri në vitet 2030.
Mbyllja e tyre do të shënonte herën e parë që Volkswagen mbyll fabrika të plota prodhimi në vendin e tij të origjinës.
Miratimi i planeve nga bordi mbikëqyrës i Volksëagen, i përbërë si nga përfaqësues të punëtorëve, ashtu edhe nga përfaqësues të aksionarëve, shënon përparim në negociatat delikate mes dy palëve.
“Bordi mbikëqyrës ka miratuar unanimisht planin e së ardhmes të grupit, të paraqitur sot nga bordi drejtues”, tha CEO Oliver Blume. “Ky është një sinjal i fortë për të ardhmen e Volksëagen Group.”
Përveç markës Volksëagen, grupi përfshin Škoda, SEAT dhe Cupra në segmentin e automjeteve të tregut masiv; Audi, Bentley, Lamborghini dhe Ducati në segmentin premium dhe luksoz; si dhe Porsche, si një markë e veçantë e makinave sportive.
















