Gjirokastra vijon të jetë një ndër destinacionet më tërheqëse turistike në Shqipëri, duke mirëpritur vizitorë nga vende të ndryshme të botës. Historia, arkitektura karakteristike, peizazhi dhe gastronomia e qytetit të gurtë mbeten ndër arsyet kryesore që turistët zgjedhin këtë qytet.
Në qendër të interesit vijon të jetë edhe Kalaja e Gjirokastrës, një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare. Vetëm gjatë periudhës janar-gusht, rreth 200 mijë vizitorë kanë zgjedhur të vizitojnë kalanë për të zbuluar nga afër historinë, arkitekturën dhe trashëgiminë e saj.
Shifrën e bëri të ditur zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, e cila e cilësoi Kalanë e Gjirokastrës një “magnet të vërtetë” për turistët dhe një pasuri të çmuar të trashëgimisë kombëtare.
“Shqipëria Turistike, me një tjetër shifër që flet qartë për suksesin e saj. Bashkë, drejt rekordeve të reja”, u shpreh Koçiu.
E ngritur mbi një kodër të shkëputur nga Mali i Gjerë, rreth 370 metra mbi nivelin e detit, Kalaja e Gjirokastrës ofron një pamje panoramike mbi qytet dhe luginën përreth. Ajo shquhet për fortifikimet e saj dhe gjendjen e mirë të ruajtjes, duke qenë një ndër monumentet më të veçanta të trashëgimisë mesjetare në vend.
Kalaja ka një gjerësi prej rreth 75 metrash dhe një gjatësi prej 500 metrash, ndërsa përforcimi i strukturës së saj është realizuar edhe përmes pesë kullave të fuqishme.
Një tjetër pikë me interes për vizitorët është galeria e topave, e vendosur në hyrje të kalasë, si dhe koleksioni i armëve që dokumenton zhvillimin e armatimeve nga periudhat e hershme të përdorimit të tyre deri në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore.
Me numrin në rritje të vizitorëve, Kalaja e Gjirokastrës vijon të konfirmojë statusin e saj si një prej atraksioneve kryesore të turizmit kulturor në Shqipëri.
















