Qeveria po përgatit ndryshimin e procedurave të legalizimit për banesat informale të ndërtuara mbi tokën e një pronari tjetër. Projektligji i hedhur për konsultim publik parashikon që, në raste të caktuara, Kadastra të legalizojë ndërtesën pa i kaluar poseduesit pronësinë mbi truallin.
Ndryshimi prek banesat informale që ndodhen tërësisht mbi tokë private, në zona ku dokumentet e planifikimit parashikojnë ndërtime mbi gjashtë kate.
Sipas ligjit aktual, këto objekte nuk legalizohen. Procedura pezullohet deri në zhvillimin e tokës dhe poseduesi duhet të arrijë marrëveshje me pronarin ose investitorin për të përfituar një sipërfaqe banimi në ndërtesën e re.
Me ndryshimet e propozuara, ASHK-ja do të mund të legalizojë vetëm ndërtesën, ndërsa marrëdhënia e pronësisë mbi tokën do të mbetet e pazgjidhur. Në regjistrin kadastral do të vendoset një shënim i posaçëm se objekti është regjistruar pa truallin.
Përpara legalizimit, poseduesi duhet të paraqesë një deklaratë noteriale, përmes së cilës pranon se kur parcela të zhvillohet, banesa që do të marrë në objektin e ri do të përcaktohet me marrëveshje me pronarin e tokës ose investitorin.
Nëse palët nuk arrijnë marrëveshje, poseduesi duhet të pranojë një sipërfaqe banimi të llogaritur sipas normave të strehimit për familjet e pastreha. Nëse nuk e paraqet deklaratën noteriale, Kadastra do ta përjashtojë objektin nga legalizimi.
Për këto raste nuk do të zbatohet procedura e zakonshme, sipas së cilës legalizimi i ndërtesës shërben edhe për kalimin e pronësisë mbi parcelën. Të drejtat dhe detyrimet ndërmjet poseduesit, pronarit të tokës dhe investitorit do të përcaktohen nga marrëveshjet noteriale.
Drafti njeh gjithashtu të drejtën e kalimit nëpër pronën fqinje kur objekti i legalizuar nuk ka dalje të drejtpërdrejtë në rrugë ose në një infrastrukturë të aksesueshme.
Projektligji parashikon edhe përshpejtimin e procedurave. Autoriteti që merret me zhvillimin e territorit mund t’i kërkojë Kadastrës përfundimin e shqyrtimit brenda 30 ditëve. Kjo mund të ndodhë edhe kur poseduesi nuk ka bërë aplikim, rast në të cilin ASHK-ja kryen vetë evidentimin e objektit në terren.
Përjashtim për ndërtimet pa leje të institucioneve shtetërore
Në të njëjtin projektligj, qeveria propozon një trajtim të posaçëm për ndërtimet pa leje të ngritura nga institucionet shtetërore.
Drafti përcakton se një objekt pa leje, i ndërtuar nga një institucion shtetëror për ushtrimin ose zhvillimin e aktivitetit të tij, mund të legalizohet pa iu nënshtruar dy prej kufizimeve kryesore që zbatohen për objektet e qytetarëve.
Ligji aktual ndalon legalizimin kur ndërtimi prek veprat kryesore të infrastrukturës, rrugët kombëtare, funksionimin e ndërtesave publike, pasuritë kulturore, zonat e investimeve strategjike ose vijën bregdetare. Ai e lidh procesin gjithashtu me evidentimin e objektit në ortofoton e realizuar përpara hyrjes në fuqi të ligjit.
Sipas formulimit të propozuar, ndërtimet e institucioneve shtetërore nuk do t’u nënshtrohen këtyre kufizimeve. Përjashtimi zbatohet vetëm kur objekti është ngritur në funksion të veprimtarisë së institucionit, por drafti nuk vendos kritere të tjera kufizuese.
Nëse miratohet në këtë formë, ndryshimi krijon një trajtim të ndryshëm: Banesat dhe objektet private vazhdojnë të kontrollohen sipas kritereve të moslegalizimit, ndërsa institucionet shtetërore përfitojnë një përjashtim të posaçëm. /skyweb.al















