Rezerva strategjike e naftës dhe nënprodukteve të saj do të kalojë nga operatorët privatë në administrimin e një autoriteti shtetëror. Kjo është pika kryesore e projektligjit të miratuar nga Këshilli i Ministrave sot, i cili ndryshon modelin me të cilin Shqipëria ka menaxhuar deri tani rezervën e sigurisë së hidrokarbureve.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, tha pas mbledhjes së qeverisë se rezerva nuk do të mbahet më si detyrim nga kompanitë private, por do të krijohet, ruhet dhe administrohet nga një subjekt shtetëror.
Rezerva nuk është parashikuar si një sasi karburanti për t’u përdorur në kushtet normale të tregut. Ajo shërben si një garanci furnizimi në rast të mungesave të papritura të naftës dhe nënprodukteve të saj, ndërprerjeve të furnizimit apo krizave që mund të cenojnë tregun vendas. Edhe projektligji i nxjerrë më parë për konsultim përcaktonte si qëllim përdorimin e rezervave në rast të reduktimit të papritur deri në mungesë të furnizimit.
Sipas Karakaçit, autoriteti shtetëror do të ketë përgjegjësinë jo vetëm për mbajtjen fizikisht të rezervës, por edhe për menaxhimin dhe rifreskimin e saj. Kjo do të thotë se një pjesë e karburanteve mund të hidhet periodikisht në treg dhe të zëvendësohet me produkt të ri, në mënyrë që rezerva të mos humbasë cilësinë gjatë qëndrimit afatgjatë.
Në rast krize ose mungese të produktit, i njëjti mekanizëm do t’i mundësojë shtetit të vendosë përdorimin e rezervës dhe hedhjen e saj në treg për të siguruar furnizimin.
Projektligji i konsultuar në vitin 2025 parashikonte krijimin e Autoritetit për Rezervën e Sigurisë, me përgjegjësi për krijimin, mbajtjen dhe përdorimin e rezervave, si dhe për monitorimin e tregut dhe raportimin e të dhënave.
Sasia që duhet të garantojë Shqipëria lidhet me standardet europiane për rezervat minimale të naftës. Referenca e përdorur në projektet e mëparshme ka qenë një nivel që korrespondon me 90 ditë importe neto ose 61 ditë konsum të brendshëm, duke u marrë për bazë niveli më i lartë që rezulton nga përllogaritja.
Ndryshimi është i rëndësishëm edhe për kompanitë e karburanteve. Aktualisht operatorëve u kërkohet të mbajnë rezervë hidrokarburesh; në mars të këtij viti Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë deklaronte se kompanitë kishin detyrimin të mbanin 30 ditë rezervë në Shqipëri dhe pjesën tjetër të 60 ditëve të kontraktuar përmes mekanizmave të tjerë.
Kalimi drejt një modeli shtetëror është diskutuar prej vitesh. Drafti i vitit 2019 parashikonte një sistem të ndarë mes sektorit publik dhe privat, ndërsa projektligji i vitit 2025 parashikonte ngritjen e një autoriteti publik të posaçëm. Nisma e miratuar tashmë nga Këshilli i Ministrave synon ta çojë këtë proces drejt centralizimit të rezervës së sigurisë nën administrim shtetëror.
Projektligji synon gjithashtu përafrimin e sistemit shqiptar me rregullat e Bashkimit Europian për sigurinë e furnizimit me naftë dhe, pas miratimit nga qeveria, duhet të kalojë në Kuvend për procedurën parlamentare.
















