Rezervat ujore në mbarë botën po pakësohen, ndërsa prurjet e lumenjve kanë rënë, akullnajat janë tkurrur dhe nivelet e ujërave nëntokësore kanë shënuar ulje në shumë rajone të planetit, paralajmëron Organizata Botërore Meteorologjike (WMO).
Në raportin e saj vjetor “Gjendja e burimeve ujore globale”, të publikuar sot, WMO thekson se Evropa Qendrore dhe Lindore u përballën veçanërisht me nivele të ulëta të ujërave nëntokësore gjatë vitit 2025. Sipas organizatës, vetëm pak rajone të tjera në botë regjistruan një deficit kaq të madh krahasuar me mesataren e periudhës 2014–2024.
Në të kundërt, në pjesën më të madhe të Evropës Veriore nivelet e ujërave nëntokësore qëndruan mbi mesataren afatgjatë.
Sipas WMO-së, kjo situatë është rezultat i ndërthurjes së disa faktorëve. Wayne Jenkinson, drejtor i Divizionit të Hidrologjisë dhe Kriosferës në WMO, tha se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, rritja e kërkesës për ujë si pasojë e shtimit të popullsisë dhe ndryshueshmëria natyrore e klimës po ushtrojnë presion gjithnjë e më të madh mbi burimet ujore.
WMO paralajmëron se rezervat ujore globale kanë qenë në rënie të vazhdueshme për më shumë se një dekadë. Këto rezerva nuk përfshijnë vetëm ujërat nëntokësore, por edhe ujin e depozituar në liqene, akullnaja, tokë, bimësi, dëborë dhe akull.
Sekretarja e përgjithshme e WMO-së, Celeste Saulo, i krahasoi këto rezerva me një “llogari kursimi”, e cila në të kaluarën mund të shërbente si burim rezervë për të kompensuar mungesën e ujit gjatë periudhave të thatësirës.
“Po e shterojmë atë llogari kursimi”, tha ajo.
Raporti tregon se gati dy të tretat e puseve të monitoruara kishin gjatë vitit të kaluar nivele uji nën mesataren afatgjatë.
Edhe prurjet e lumenjve në mbarë botën ishin jashtëzakonisht të ulëta gjatë vitit 2025. Sipas WMO-së, viti i kaluar ishte një nga tre vitet me prurjet më të ulëta të lumenjve në 35 vitet e fundit, duke nxjerrë në pah presionin në rritje mbi rezervat ujore globale
















