Zbatimi i Sistemit të Hyrje-Daljeve të Bashkimit Evropian, EES, po ndryshon mënyrën se si udhëtarët regjistrohen në kufijtë e zonës Shengen. Sistemi kërkon regjistrimin e të dhënave biometrike, përfshirë shenjat e gishtërinjve dhe imazhin e fytyrës, gjatë hyrjes së parë në zonën Shengen.
Ndërsa në disa pika kufitare procedurat janë zhvilluar pa probleme të mëdha, në aeroporte dhe kufij të tjerë janë raportuar radhë dhe pritje të gjata. Në disa raste, vonesat kanë zgjatur disa orë, duke shkaktuar shqetësime për udhëtarët dhe debate mes industrisë së turizmit dhe autoriteteve përgjegjëse.
Në këtë situatë, vendet evropiane që nuk janë pjesë e zonës Shengen mund të jenë një alternativë për turistët që kërkojnë destinacione ku nuk aplikohen kontrollet e EES.
Shqipëria ndër vendet evropiane jashtë EES
Shqipëria është renditur ndër 10 destinacionet evropiane që nuk kanë kontrolle EES, së bashku me Qipron, Irlandën, Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Malin e Zi, Kosovën, Serbinë dhe Britaninë e Madhe.
Sipas artikullit të publikuar nga “The Independent”, Shqipëria renditet e treta në këtë listë, pas Qipros dhe Irlandës.
Arsyeja është e thjeshtë: Shqipëria nuk është pjesë e zonës Shengen dhe, për rrjedhojë, sistemi EES nuk zbatohet në kufijtë shqiptarë.
Nga Riviera te Alpet Shqiptare
Përtej çështjes së kontrolleve kufitare, Shqipëria përmendet edhe si një destinacion turistik me një gamë të gjerë alternativash.
Vitet e fundit, vendi është promovuar gjithnjë e më shumë si një alternativë ndaj destinacioneve tradicionale të Mesdheut, përfshirë Greqinë dhe Kroacinë. Riviera Shqiptare, veçanërisht Ksamili dhe Himara, mbeten ndër zonat më të njohura për pushime verore, falë plazheve dhe ujërave të Jonit.
Por oferta turistike e Shqipërisë nuk kufizohet vetëm te bregdeti. Për turistët që preferojnë natyrën dhe ecjet malore, Alpet Shqiptare ofrojnë një sërë itinerarësh. Ndër më të njohurit është shtegu i Qafës së Valbonës, rreth 16 kilometra i gjatë, i cili kalon nëpër peizazhe malore dhe formacione shkëmbore.
Edhe Tirana përmendet si një alternativë për turistët që kërkojnë një eksperiencë urbane. Kryeqyteti ndërthur gjurmë të arkitekturës osmane dhe periudhës komuniste me ndërtime moderne. Një prej tyre është “Downtown One”, kulla multifunksionale e vendosur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë zonës së ish-Bllokut.
Çfarë do të thotë kjo për udhëtarët?
EES është krijuar për regjistrimin dhe kontrollin e udhëtarëve nga vende jashtë Shengenit që hyjnë në zonën Shengen për qëndrime afatshkurtra. Regjistrimi përfshin të dhëna biometrike, të cilat mblidhen gjatë kalimit kufitar.
Meqë Shqipëria nuk është pjesë e zonës Shengen, udhëtarët që hyjnë në vend nuk i nënshtrohen kontrolleve të EES në kufirin shqiptar.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se një udhëtar që vjen nga një vend i BE-së apo që udhëton më pas drejt një shteti Shengen shmang automatikisht procedurat e EES. Kontrollet lidhen me hyrjen në zonën Shengen dhe jo me destinacionin shqiptar në vetvete.
Ndërsa sistemi i ri evropian hyn në një fazë të re zbatimi dhe ndikimi i tij në kohën e pritjes në kufij mbetet për t’u vlerësuar, destinacionet jashtë Shengenit, përfshirë Shqipërinë, vazhdojnë të jenë një mundësi për turistët që kërkojnë alternativa për pushimet e tyre në Evropë.
















