Të gjitha linjat ajrore komerciale iraniane do të ndërpresin operacionet në mbarë botën duke nisur nga e mërkura, 23 shtator. Kështu deklaroi sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, në një intervistë për CNBC.
Bessent tha se masa është pjesë e sanksioneve të reja me të cilat Uashingtoni synon të izolojë rrjetin e aviacionit civil të Teheranit.
Sipas tij, aeroportet dhe kompanitë e huaja që u shërbejnë avionëve iranianë do të përballen me pasoja financiare nëse vazhdojnë bashkëpunimin.
Ato nuk do të mund t’i furnizojnë avionët me karburant, t’u ofrojnë shërbime uljeje apo të shesin bileta për linjat iraniane pa rrezikuar përjashtimin nga sistemi bankar amerikan dhe kleringu i dollarit.
Zyrtarët iranianë nuk kanë dhënë ende një përgjigje publike lidhur me kufizimet e paralajmëruara për aviacionin.
Lëvizja e Uashingtonit vjen në kuadër të operacionit “Furia Epike”, përmes të cilit SHBA-ja po shton presionin ekonomik ndaj Iranit gjatë luftës që ka hyrë në muajin e saj të shtatë.
Konflikti nisi në fund të shkurtit pas sulmeve të koordinuara të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit. Ai është shoqëruar me ndërprerje të qarkullimit detar në Ngushticën e Hormuzit, shkëmbime të vazhdueshme raketore në rajon dhe presion në rritje mbi kanalet tregtare e financiare të Teheranit.
















