Kompania amerikane Joby Aviation ka shënuar një arritje historike për aviacionin modern, pasi një avion i saj i kontrolluar tërësisht nga teknologjia autonome ka përfunduar me sukses fluturimin e parë pa ndërhyrje njerëzore nga njëri bregdet i Shteteve të Bashkuara në tjetrin. Mjeti ajror përshkoi rreth 5,150 kilometra nga Kalifornia drejt Karolinës së Veriut, duke e përmbyllur udhëtimin pranë Outer Banks në një zonë shumë afër Kitty Hawk, vendit simbolik ku në vitin 1903 vëllezërit Wright realizuan fluturimin e parë historik me motor. Pas mbërritjes, avioni i identifikuar si J208 kreu edhe një fluturim nderimi mbi monumentin e vëllezërve Wright.
Protagonist i këtij testimi ishte një avion i modifikuar i llojit Cessna Caravan, i cili realizoi në mënyrë plotësisht automatike lëvizjen në pistë, ngritjen, navigimin dhe uljen. Ndonëse në bord ndodhej një pilot për raste emergjence, gjatë gjithë udhëtimit nuk pati nevojë për asnjë ndërhyrje manuale. Fluturimi u monitorua nga distanca nga selia e kompanisë në Kaliforni dhe baza ajrore Shaw në Karolinën e Jugut. Ky testim u zhvillua në kuadër të programit “Electric Skies 2026” dhe përfshiu një itinerar me disa ndalesa nga Concord në Kaliforni, përmes Phoenix, Fort Worth dhe bazës Shaw, deri në destinacionin përfundimtar. Gjatë ndalesës në aeroportin e ngarkuar Phoenix Deer Valley, sistemi autonom tregoi aftësi të larta duke operuar pa njohuri të mëparshme për terrenin dhe duke rillogaritur itinerarin në kohë reale për të shmangur stuhitë.
Kjo teknologji është testuar tashmë në më shumë se 400 fluturime e 800 orë pune ajrore, si dhe është përdorur në disa stërvitje ushtarake amerikane. Sipas përfaqësuesve të Joby Aviation, sistemi autonom pritet të gjejë zbatim të gjerë në të ardhmen për transportin e mallrave, dërgimin e furnizimeve mjekësore, operacionet e emergjencës, ndihmën në fatkeqësi natyrore dhe logjistikën ushtarake. Pas suksesit të arritur në Lindje, avioni pritet të nisë fluturimin e kthimit drejt Bregut Perëndimor me ndalesa në qytete si Raleigh, Washington D.C., Louisville, Wichita, Oklahoma City dhe Salt Lake City.
















