Shqipëria po shndërrohet në një nga destinacionet më tërheqëse të Ballkanit, falë kombinimit të historisë, kulturës, natyrës, gastronomisë dhe plazheve të Rivierës Shqiptare.
Në një artikull të Pilar Hernández Coloma, publikuar në median spanjolle ¡HOLA!, Shqipëria përshkruhet si një vend plot kontraste, ku qytetet historike, trashëgimia osmane, peizazhet malore dhe ujërat e kristalta të Jonit bashkohen në një udhëtim të veçantë.
Udhëtimi nis në Tiranë, me Bllokun, xhaminë e Namazgjasë dhe Bunk’Artin, dhe vazhdon në Krujë, ku spikasin pazari i vjetër, kalaja dhe trashëgimia e Skënderbeut. Durrësi sjell historinë antike dhe bregdetin Adriatik.
Më tej, Berati dhe Gjirokastra, të mbrojtura nga UNESCO, dallohen për shtëpitë tradicionale, rrugicat prej guri dhe arkitekturën osmane. Syri i Kaltër ofron një nga peizazhet natyrore më mbresëlënëse të vendit.
Në jug, Saranda dhe Ksamili prezantohen për plazhet, ujërat transparente dhe ishujt e vegjël, ndërsa Butrinti përmbyll itinerarin me një ndërthurje të jashtëzakonshme mes rrënojave antike dhe natyrës.
Artikulli vë në pah edhe kuzhinën shqiptare, nga fërgesa dhe tava e kosit te qifqitë, peshku i freskët dhe prodhimet e detit.
Në përshkrimin e saj, Pilar Hernández Coloma e paraqet Shqipërinë si një destinacion ku historia, natyra, gastronomia dhe deti bashkohen, duke ofruar një përvojë të larmishme për vizitorët.
















