Prej gati dhjetë ditësh, aktiviteti i basteve të paligjshme dhe i call center-ave ilegalë në Shqipëri është ndalur, ndërsa shkëmbimet e kriptomonedhave kanë shënuar një rënie të ndjeshme.
Skyweb.al mëson se tregu i këtyre veprimtarive, në të cilat qarkullojnë shuma të mëdha parash, është në pritje. Ende nuk dihet se çfarë e ka shkaktuar këtë ndalim, në dukje të përkohshëm.
Lokalet e basteve në lagjet e qyteteve janë ose të mbyllura, ose hapen vetëm për pak orë.
Bëhet fjalë për ambiente ku grupe burrash qëndrojnë gjatë gjithë ditës, duke menaxhuar llogaritë e lojtarëve dhe duke koordinuar “menaxherët” në terren.
Një situatë e ngjashme raportohet edhe në call center-at ilegalë që operojnë në qytete të ndryshme.
Punonjësit janë dërguar përkohësisht në shtëpi, ndërsa aktiviteti është pezulluar.
Ndërkohë, burime nga tregu i thanë Skyweb.al se gjatë kësaj periudhe ka pasur edhe një rënie të ndjeshme të shkëmbimeve të kriptomonedhave.
Zhvillimet vijnë në një ekonomi ku, pavarësisht përpjekjeve për formalizimin dhe shmangien e informalitetit, vijojnë të funksionojnë sektorë jashtë sistemit të deklarimit dhe kontrollit.
Në raste të caktuara, shuma të mëdha parash qarkullojnë edhe në veprimtari të paligjshme, nga bastet sportive me lokale të hapura nëpër qytete dhe call center-at mashtrues, deri te skema më të sofistikuara që përdorin kriptomonedhat.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, jashtë bankave qarkullojnë rreth rreth 5.8 miliardë euro.
Një pjesë e këtij qarkullimi lidhet edhe me sektorët e mësipërm, por shifra e përgjithshme nuk tregon se sa para vijnë nga aktivitetet e paligjshme.
Për momentin, shkaku i ndalimit mbetet i paqartë. /skyweb.al
















