Policia e Tiranës arrestoi katër persona tri ditë më parë gjatë një operacioni ndaj një Call Center-i në Rrugën e Kavajës. Ndërhyrja u krye pasi aktiviteti dyshohet se zhvillohej në mënyrë të paligjshme, duke mashtruar qytetarë europianë.
Megjithatë, raportime të ndryshme mediatike kanë treguar periodikisht se ky mund të mos jetë Call Center-i i vetëm që ushtron aktivitet të paligjshëm në mes të kryeqytetit, por ai mund të jetë ndër subjektet që nuk e kanë zbatuar urdhrin e dhënë më shumë se një javë më parë për mbylljen e përkohshme, deri në “sheshimin e disa paqartësive”.
Skyweb.al raportoi gjatë mëngjesit se prej gati dhjetë ditësh aktiviteti i basteve të paligjshme dhe Call Center-ave ilegalë në Shqipëri është ndalur, ndërsa shkëmbimet e kriptomonedhave në flukse të mëdha thuajse kanë ndaluar.
Lokalet e basteve nëpër lagje janë mbyllur ose hapen vetëm për pak orë. Call Center-at ilegalë kanë dërguar përkohësisht punonjësit në shtëpi, ndërsa i gjithë “tregu i zi” ndodhet në pritje.
Bëhet fjalë për veprimtari të paligjshme që, sipas burimeve, zhvillohen me tolerimin e strukturave të caktuara, të cilat ligji i ngarkon pikërisht me luftimin e tyre.
Burime të Skyweb.al bëjnë me dije se urdhri “nga lart” për organizatorët e basteve të paligjshme, Call Center-ave dhe rrjeteve të shpërndarjes së lëndëve narkotike ka qenë i qartë: “Nuk keni më mbrojtje! Stop këto ditë, deri sa të qartësohet situata!”
Urdhri parashikon ndalimin e përkohshëm të aktivitetit, me fokus kryesor bastet, Call Center-at mashtrues dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Sipas burimeve, nuk bëhet fjalë për një urdhër përfundimtar, por për një pezullim.
Organizatorëve të këtyre aktiviteteve u është kërkuar të presin deri në qartësimin e dinamikave të reja të krijuara në “nëntokë” dhe “mbi tokë”, pas operacioneve të fundit të SPAK dhe lëvizjeve tektonike politike.
Por, situatë ka shkaktuar pakënaqësi mes aktorëve të tregut, të cilët kërkojnë “garanci” për vijimin e aktivitetit kundrejt pagesave të rregullta të pretenduara.
Sipas Bankës së Shqipërisë, jashtë sistemit bankar qarkullojnë rreth 5.8 miliardë euro. Një pjesë e këtij qarkullimi lidhet me sektorët informalë dhe të paligjshëm, por të dhënat nuk tregojnë se sa është konkretisht kjo shumë.
Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë gjatë ditëve në vijim. Aktualisht, aktivitetet e paligjshme kanë “ngrirë”, ndërsa situata po reflektohet edhe në ngadalësimin e shkëmbimeve të kriptomonedhave. Skyweb.al do të raportojë në vijim për zhvillimet në këtë treg që është sa afër fizikisht aq larg edhe në diskursin publik. /skyweb.al















