Marrëveshjet mes kompanive ajrore për tarifat, fluturimet dhe rezervimet do të shqyrtohen për ndikimin që kanë në treg dhe te përdoruesit. Autoriteti i Konkurrencës ka miratuar rregulloren që përcakton mënyrën e këtij vlerësimi.
Përjashtimi nga ndalimi i marrëveshjeve antikonkurruese kërkon përfitime ekonomike ose teknike, një pjesë të drejtë të tyre për përdoruesit dhe kufizime të domosdoshme. Bashkëpunimi nuk duhet të eliminojë konkurrencën në një pjesë të konsiderueshme të shërbimeve.
Në shqyrtim përfshihen konsultimet për çmimet dhe kushtet e udhëtimit, transportin e bagazheve dhe mallrave, si edhe koordinimi i orareve mes operatorëve.
Rregullorja mbulon gjithashtu fluturimet e organizuara bashkërisht në linja të reja ose me pak trafik, si dhe sistemet e përbashkëta për rezervimin dhe lëshimin e biletave.
Një tjetër fushë është ndarja e sloteve, intervaleve të caktuara për uljen dhe ngritjen e avionëve në aeroporte, duke respektuar legjislacionin përkatës.
Rregullat përfshijnë fluturimet brenda vendit dhe lidhjet ndërkombëtare, kur bashkëpunimi prek ose mund të prekë konkurrencën në Shqipëri. Për vendet jashtë BE-së kërkohet një lidhje e mjaftueshme me tregun shqiptar.
Pas anëtarësimit në BE, për çështjet që mbulohen nga e drejta europiane do të zbatohen drejtpërdrejt rregulloret komunitare përkatëse. /skyweb.al
















