Kompanitë e licencuara për kultivimin, përpunimin dhe tregtimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale do t’i nënshtrohen një sistemi të zgjeruar kontrolli dhe monitorimi.
Sipas vendimit të fundit të qeverisë, zbardhur në Fletoren Zyrtare, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it do të ketë akses të pandërprerë 24 orë në 24 në kamerat CCTV të subjekteve, ndërsa kontrolli mund të kryhet edhe përmes sensorëve, dronëve, sistemeve elektronike dhe imazheve satelitore.
Pamjet dhe të dhënat e mbledhura nga monitorimi mund të përdoren si provë në procedura administrative, civile apo penale.
Vendimi parashikon edhe inspektime të papritura, krahas kontrolleve të programuara, si dhe kombinimin e verifikimeve në terren me monitorimin në distancë.
Kompanitë duhet t’u japin autoriteteve akses në ambientet, pajisjet, automjetet, dokumentet dhe sistemet elektronike, si dhe të kenë një person përgjegjës të kontaktueshëm 24/7.
Edhe korrja duhet të njoftohet paraprakisht, ndërsa çdo sasi dhe lot i prodhuar duhet të regjistrohet në sistem përpara se të kalojë në fazat e tjera.
Për kanabisin industrial, kufiri maksimal i THC-së është 0.8%. Mbi këtë nivel, loti konsiderohet jokonform dhe nuk mund të shitet apo eksportohet pa përfunduar procedurat përkatëse.
Rregulla të posaçme vendosen edhe për transportin. Duhet të deklarohen paraprakisht loti, sasia, itinerari, ora e nisjes, automjeti, personeli shoqërues dhe destinacioni, ndërsa Agjencia mund të monitorojë lëvizjen gjatë itinerarit.
Në rast shkeljesh mund të ketë sekuestrim, konfiskim dhe ndërhyrje të Policisë së Shtetit.
Nëse një subjekt nuk respekton kushtet e licencës ose nuk zbaton masat korrigjuese, Agjencia mund të propozojë pezullimin ose heqjen e licencës. /skyweb.al















