Qeveria gjermane ka miratuar një projektligj për taksimin e pijeve me përmbajtje të lartë sheqeri, i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 korrik 2027, nëse miratohet nga Bundestagu.
Taksa synon të ulë konsumin e sheqerit, të nxisë prodhuesit të ofrojnë pije më të shëndetshme dhe të lehtësojë kostot e sistemit shëndetësor, që lidhen me obezitetin, diabetin dhe problemet dentare.
Sipas projektligjit, pijet me të paktën 5 gramë sheqer për 100 mililitra do të taksohen me 0,26 euro për litër, ndërsa ato me 8 gramë ose më shumë do të taksohen me 0,32 euro për litër.
Taksa do të përfshijë pijet e gazuara, çajrat e ftohtë dhe pijet energjike, ndërsa lëngjet e pastra të frutave, pijet e qumështit dhe ato pa sheqer do të përjashtohen.
Qeveria pret të sigurojë të ardhura shtesë prej 690 milionë eurosh në vitin 2027 dhe 925 milionë eurosh në vitin 2028. Megjithatë, masa ka shkaktuar kritika nga përfaqësues të industrisë së pijeve, të cilët paralajmërojnë për rritje çmimesh dhe rrezik për vendet e punës. /skyweb.al
















