Kryeministri Edi Rama ka njoftuar një shpërblim prej 2500 eurosh për çdo efektiv policie të angazhuar në përballjen me dhunën gjatë protestës, ndërsa ka premtuar edhe një rritje të konsiderueshme pagash nga 1 janari.
Me mbështetjen financiare dhe mesazhet për unitet, Rama kërkon të shtrëngojë radhët e policisë përballë protestave. Shpërblimi, sipas tij, do të jetë i njëjtë për të gjithë efektivët në terren, pa bërë dallime mes tyre.
“Ne do vëmë në dispozicion një shumë prej 2500 eurosh, për çdo efektiv në front. E vendosëm kështu, për të mos bërë asnjë diferencë”, deklaroi kryeministri.
Njoftimin për shpërblimin Rama e shoqëroi me një mesazh të drejtpërdrejtë për trupën policore: “Jeni një, dhe një për të gjithë. Shteti do ta fitojë këtë betejë”.
Krahas pagesës së posaçme, kryeministri bëri të ditur se buxheti i ri do të parashikojë rritjen e pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit, me efekt nga fillimi i vitit të ardhshëm.
Rama pranoi se, gjatë viteve, pagat e efektivëve nuk janë rritur aq sa duhej, ndërsa tha se për ndërhyrjen e re ishte diskutuar disa javë më parë.
“Në vite, nuk e kemi rritur aq sa duhet pagën tuaj”, u shpreh ai, duke premtuar se rritja e ardhshme do të jetë e konsiderueshme.
Kryeministri nuk dha një shifër apo përqindje konkrete për rritjen e pagave. Ndërkohë, për shpërblimin prej 2500 eurosh nuk përcaktoi një afat të disbursimit. /skyweb.al
















