Projektligji i ri “Për mbrojtjen e konsumatorit”, i propozuar nga qeveria shqiptare, parashikon ashpërsimin e masave administrative ndaj bizneseve që shkelin të drejtat e konsumatorëve. Sipas draftit, gjoba maksimale do të arrijë në 600 mijë lekë, nga 100 mijë lekë që është kufiri i parashikuar në ligjin aktual.
Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen e Konsumatorit (AKMK) do të ketë të drejtën të vendosë gjoba nga 300 mijë deri në 600 mijë lekë për shkelje që lidhen me praktikat e padrejta tregtare, publicitetin çorientues ose krahasues, kushtet e padrejta kontraktore dhe cenimin e të drejtave të konsumatorëve.
Projektligji përcakton se një praktikë tregtare konsiderohet e padrejtë kur bie ndesh me kërkesat e përkujdesjes profesionale dhe deformon, ose mund të deformojë, në mënyrë të ndjeshme sjelljen ekonomike të konsumatorit mesatar në lidhje me një produkt. I njëjti parim zbatohet edhe kur praktika u drejtohet grupeve të caktuara të konsumatorëve.
Në draft përcaktohen edhe rrethanat që do të konsiderohen rënduese gjatë vlerësimit të praktikave të padrejta tregtare. Mes tyre përfshihen rastet kur shitja ose marketingu çorientues apo agresiv kryhet gjatë një vizite të tregtarit në banesën e konsumatorit, pa kërkesën e këtij të fundit, si dhe gjatë ekskursioneve të organizuara për promovimin ose shitjen e produkteve.
Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe praktikave agresive që synojnë të ndikojnë te vendimmarrja e konsumatorëve. Si të tilla konsiderohen, ndër të tjera, rastet kur krijohet përshtypja e rreme se një person ka fituar ose do të fitojë një çmim apo përfitim, ndërkohë që në të vërtetë nuk ekziston një shpërblim i tillë.
Projektligji trajton gjithashtu publicitetin çorientues, duke e përkufizuar si çdo formë reklame që, përmes përmbajtjes ose mënyrës së paraqitjes, mashtron ose mund të mashtrojë personat të cilëve u drejtohet. Kjo praktikë konsiderohet problematike kur mund të ndikojë në interesat dhe sjelljen ekonomike të konsumatorëve, si dhe të dëmtojë ose të rrezikojë dëmtimin e konkurrentëve.
Me këto ndryshime, drafti synon të përcaktojë masa më të ashpra ndaj praktikave tregtare që cenojnë interesat e konsumatorëve. Megjithatë, vlerat dhe masat e parashikuara në projektligj mbeten pjesë e draftit dhe jo domosdoshmërisht të ligjit në fuqi.
















