E shtunë, 7 Qershor, 2025
  • Hyr
SkyWeb.al
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Investigim
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Aviacion
  • OP-ED
Nuk u gjet asnjë rezultat
Shiko të gjitha
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Investigim
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Aviacion
  • OP-ED
Nuk u gjet asnjë rezultat
Shiko të gjitha
SkyWeb.al
Nuk u gjet asnjë rezultat
Shiko të gjitha
Kreu Ekonomi

Taksat janë sakaq të sheshta

SkyWeb Nga SkyWeb
21 Prill, 2025
in Ekonomi, OP-ED
A A
0
Taksat janë sakaq të sheshta
Share on FacebookShare on WhatsApp

Gjergj Erebara –BIRN 

Shqiptarët paguan 7.1 miliardë euro taksa e tatime gjatë vitit 2024 dhe nga këto, më pak se 660 milionë ose 9.3% e totalit u paguan në formën e Tatimit mbi të Ardhurat Personale, një formë tatimi, i cili, për disa lloje të ardhurash është në formën e tatimit progresiv, ndërsa për një pjesë, edhe këtu është në formën e taksës së sheshtë. Pjesa tjetër, 90.7% e të gjitha taksave, nuk janë progresive, janë të sheshta. Megjithatë, është vetëm ajo pjesë e tatimit mbi të ardhurat personale që bëhet objekt debati politik herë pas here kur ka zgjedhje në Shqipëri.

Taksa të sheshta

Taksat e tjera janë ku e ku më të rënda. Për shembull, taksa e parë është maskuar nën emrin e gënjeshtërt kontribute për sigurimet shoqërore e shëndetësore. Gjatë vitit të kaluar, shqiptarët paguan 1.6 miliardë euro “kontribute”, shifër kjo e barabartë me 22.7% të të gjitha taksave dhe tatimeve të paguara. Kontributet mbahen në masën 25% mbi pagën për të gjithë të punësuarit, dhe mbahen deri në 176 mijë lekë në muaj. Ka një numër shumë të vogël që kanë paga më të larta, këta nuk paguajnë 25% për shumën mbi 176 mijë lekë. Por në thelb, pavarësisht se jeton me pagën minimale 35 mijë lekë neto apo me pagën mesatare, apo me pagë më të lartë se sa mesatarja, fakti është që 25% e të gjithë vlerës së shtuar të punës tënde shkon për sigurime.

Teorikisht këto nuk janë taksa, nuk janë as tatime. Këto janë kontribute në kuptimin që të punësuarit i derdhin në një fond kolektiv për t’i tërhequr kur të dalin në pension. Në realitet, pjesa dërrmuese e parave të kontribuuara në skemë do të tërhiqen nga pensionistët e ekonomisë së dështuar të së shkuarës komuniste apo të së shkuarës më të vonë post-komuniste. Afërsisht, një në çdo pesë lekë nga këto që paguhen për kontribute u kthehet atyre që paguajnë në formën e pensionit, katër të pestat shkojnë për të paguar pensionet e të tjerëve.

Taksa tjetër e sheshtë, e cila në fakt rrëmben 30% të të gjithë kontributit të shqiptarëve në buxhetin e përbashkët, quhet Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Është një tatim në masën 20% në shumicën dërrmuese të të gjitha blerjeve, me përjashtime të pakta. Shqiptarët paguan 2.14 miliardë euro TVSH gjatë vitit të kaluar dhe nuk ka rëndësi nëse je i pasur apo i varfër, çdo blerje taksohet njësoj. Por ka edhe disa përjashtime që shpjegohen në seksionin e taksave regresive.

Akcizat mbi karburantet, taksa e qarkullimit, akciza mbi cigaret, birrën, verën, pijet alkoolike e të tjera, si dhe TVSH që zbatohet mbi akcizat, janë taksa tjetër e sheshtë, e cila u mbahet njësoj, si të pasurve ashtu edhe të varfërve. Shqiptarët paguan 630 milionë euro akciza, 8.9% e të gjitha të ardhurave të buxhetit. Taksat lokale, të tilla si taksa e ndikimit në infrastrukturë, taksa e pastrimit e të tjera, që të gjitha vijojnë të jenë në formatin e taksës së sheshtë.

Tatimi jo aq progresiv mbi të ardhurat

Shqiptarët paguan 660 milionë euro në formën e Tatimit mbi të ardhurat personale, tatimi i vetëm i cili, në një masë të kufizuar, i nënshtrohet parimit të tatimit progresiv. Ky është tatimi që ka emra të ndryshëm në kategori të ndryshme të ardhuash. Tatimi mbi fitimet nga interesat e titujve, psh., është i sheshtë, në masën 15%, dhe nuk ndryshon nëse këto të ardhura janë për depozita apo tituj prej miliona eurosh apo nga kursime prej qindra eurosh. Tatimi mbi të ardhurat nga honoraret është gjithashtu 15%. Tatimi mbi fitimet kapitale, i cili paguhet kur, fjala vjen, shet një pronë me çmim më të lartë nga çmimi i blerjes, është gjithashtu i sheshtë në masën 15%. Tatimi mbi të ardhurat nga paga, për pjesën më të madhe të të punësuarve me paga të ulëta është i sheshtë, por në këtë rast është zero.

Tatime dhe taksa regresive

Ka një kategori të tretë tatimesh e taksash, të cilat shqiptarët i paguajnë, por i paguajnë në formën e taksës regresive. Ndryshe nga tatimi i sheshtë, i cili mbahet njësoj për të gjithë, apo ai progresiv, që takson më shumë ata që kanë të ardhura më të larta, tatimi regresiv do të thotë që kush është i varfër paguan një përqindje më të lartë takse se sa ai që është i pasur. Është e vërtetë që këto nuk janë shumë dhe efekti i tyre në pabarazi nuk është i madh, por gjithsesi, fakti është që në Shqipëri ka disa tatime regresive, të cilat nuk është mirë të harrohen.

Taksa e parë regresive është taksa e qarkullimit rrugor, e cila paguhet nga çdo pronar makine dhe që, në emër të mbrojtjes së mjedisit, është vendosur më e lartë për makinat e vjetra, të cilat, incidentalisht janë edhe makinat e të varfërve. Kanë kaluar mbi dy dekada që kur u vendos për herë të parë dhe shumë mundet të mos e kenë mësuar kurrë se si u vendos, kështu që, një rikujtesë besoj ia vlen. Në vitin 2004, një numër tregtarësh që kishin hapur koncesionarët e makinave të reja në Shqipëri, korruptuan qeverinë socialiste të asaj kohe, e cila, nën justifikimin e mbrojtjes së mjedisit, vendosi taksa për importin e makinave të vjetra dhe i hoqi për importin e makinave të reja. Nga pikëpamja mjedisore, taksa në fjalë natyrisht që pati efekt negativ, pra të kundërtën e efektit të shtirur sikur synohej, sepse, në pamundësi për të paguar mijëra euro taksa për importimin e një makine, fjala vjen, 10 vjeçare, qytetarët detyroheshin të mbanin në punë makina 15 apo 20 vjeçare, duke i riparuar ato përtej jetës normale të një automjeti, me qëllim që të shmangnin taksën regresive të imponuar nga një qeveri që prezantohet në mënyrë sarkastike si “socialiste”.

Si rrjedhojë e një incidenti teknokratësh, Bashkimi Evropian e konsideroi taksën e importit të makinave të përdorura si shkelje e rregullave të tregtisë së lirë dhe qeveria e djathtë e konvertoi atë në taksë qarkullimi, sërish me parimin regresiv se kush nuk ka para për makinë të re duhet të paguajë më shumë, dhe që paguhet çdo vit.

Sigurimi i përgjegjësisë së palëve të treta, e njohur nga akronimi në anglisht TPL, dhe që shqiptarët e njohin më së shumti thjesht si “siguracioni i makinës”, nuk është një taksë apo tatim, është një pagesë që i bëhet disa kompanive private. Megjithatë, në një mënyrë krejtësisht të palogjikshme, karteli i sigurimeve, i cili është karteli më i mirëdokumentuar në vend, ka  zgjedhur që të taksojë më shumë makinat e vjetra, duke e bërë një aktivitet privat në thelb, një taksë private regresive.

Qeveria e kryeministrit socialist, Edi Rama ka zbatuar në dy raste të tjera parimin e regresivitetit në politikën e vet fiskale, në të dyja rastet e lidhur kjo me aktivitetin e hoteleve me katër dhe pesë yje, të certifikuar si të tillë, jo nga standardet ndërkombëtare të fushës, por nga preferencat e kryeministrit. Ushqimi në këto hotele shitet me TVSH në masën 6%, ndërsa kompanitë në fjalë janë të përjashtuara nga tatimi mbi fitimin për një dekadë. Kjo do të thotë që, nëse një shqiptar normal ushqehet në një restorant normal, ai paguan TVSH 20% mbi koston e ushqimit apo pijeve të konsumuara, ndërsa nëse ke para të ushqehesh në hotelet me 5 yje, paguan 6%.

Debat i importuar jashtë konteksti

Përplasja më e madhe politike e vendeve demokratike gjatë shekullit të njëzetë është diskutimi nëse qytetarët e pasur duhet të paguajnë një përqindje më të lartë tatimesh mbi të ardhurat se sa të varfrit. Një rrymë filozofike e quajtur Neoliberalët, propozuan, për efekt thjeshtësie në administrim dhe drejtësie sociale, një normë të sheshtë për të gjitha të ardhurat, ndërsa ia la trajtimin e çështjeve sociale, pra ndihmesës për të varfrit, anës së shpenzimeve të buxhetit. Rezultati i kësaj (por jo i vetëm kësaj, sepse bota është më komplekse), është një nivel pabarazie në rritje që gërryen demokracinë dhe kthen popujt e topitur nga politikanët populistë.

Në mënyrë të famshme, vendet nordike vendosën të luftojnë pabarazinë me disa nga tatimet më progresive në historinë e njerëzimit. Për shembull, shkrimtarja suedeze shumë popullore për fëmijë, Astrit Lindgren, mori në vitin 1976 një faturë fiskale e cila arrinte në 102% të të ardhurave të saj nga shitja e librave. Burokracia në këtë rast ngarkonte taksa për Lindgren njëkohësisht si punëdhënëse dhe si punëmarrëse dhe kjo bëri që barra fiskale e saj të ishte më e lartë se sa të ardhurat. Dhe iu përgjigj kësaj me një tregim satirik, i cili solli një debat të gjerë dhe reformimin e taksimit progresiv suedez drejt një niveli më të vetëpërmbajtur të progresivitetit.

Në Shqipëri debati u importua nga Shtetet e Bashkuara në fillim të viteve 2000, krejtësisht jashtë kontekstit, për shkak se Shqipëria, në atë kohë, si edhe sot, ishte  një shtet karrakatinë, me një administratë fiskale që prodhon politikanë të njëpasnjëshëm, por jo taksa. Në atë kohë dhe sot, shteti shqiptar mbledh shumicën dërrmuese të taksave e tatimeve në doganë, kur mallrat importohen, me një pjesë të vogël të gjeneruar nga tregu i brendshëm. Dhe për sa kohë administrata tatimore vijon të prodhojë politikanë, ose politikanët kthehen të punojnë në doganë e në tatime, vështirë se mund të diskutohet forma dhe shkalla e progresivitetit që mund të zbatohet në punët e taksimit. Nëse, fjala vjen, tatimin mbi të ardhurat personale vendos ta bësh të sheshtë në masën 10%, apo ta bësh me progresivitet shumë të lartë, sërish rezultati i kësaj do të jetë shumë i kufizuar në pasoja, qofshin pozitive apo negative, sepse TAP përbën vetëm 9% të taksave e tatimeve që ne paguajmë.

Në fund, duhet të kemi parasysh se “taksa” më regresive dhe më raskapitëse që shqiptarët paguajnë, është korrupsioni. Korrupsioni i merr paratë nga të shumtët dhe ia kalon të paktëve, të cilët i bëjnë vila të dyta, të treta apo të katërta, apo blerje në sasi të pamundura për t’u konsumuar në internet, apo para të fshehura në tuba aspiratorësh, apo ndërtesa absurde betoni në të cilat nuk banon askush. Korrupsioni me gjasa gërryen së paku 1 miliardë euro në vit nga xhepat e shqiptarëve dhe lufta ndaj korrupsionit duhet të jetë politika e parë dhe e fundit në vend, ndërsa këto debatet shterpë me tatim të sheshtë apo progresiv është mirë të mos përdoren për të hequr vëmendjen ndaj problemeve reale të vendit.

Etiketat: taksa e sheshtetaksa progresivetaksat
Artikulli para

Një kompani ndërtimi e përfshirë në pastrim parash, shqiptarja bleu truallin 90 000 euro dhe e shiti 2.2 milion euro

Artikulli pas

Sa lart fluturojnë avionët dhe “magjia” e numrave tek dhe çift në ajër

SkyWeb

SkyWeb

Nga Kategoria

Daljet e reja në pension, si do të bëhet përllogaritja me koeficientët e rinj
OP-ED

O Shqipëri që s’ke pleqëri!

7 Qershor, 2025
Pensioni nuk del, Shqipëria në krye të listës për pensionistët e punësuar
Ekonomi

Pensioni nuk del, Shqipëria në krye të listës për pensionistët e punësuar

6 Qershor, 2025
Një anonim nga Berati merr leje për park fotovoltaik 82 mln euro, kush fshihet pas Albania Solar Power dhe emrit Engjëll Agalliu ?
Ekonomi

Një anonim nga Berati merr leje për park fotovoltaik 82 mln euro, kush fshihet pas Albania Solar Power dhe emrit Engjëll Agalliu ?

5 Qershor, 2025
AKSHI shpall super tenderin 16 milionë euro për kompjutera
Ekonomi

AKSHI shpall super tenderin 16 milionë euro për kompjutera

4 Qershor, 2025
Kappa Oil përfaqëson Shqipërinë në panairin ndërkombëtar “Autopromotec 2025” në Bolonja
Ekonomi

Kappa Oil përfaqëson Shqipërinë në panairin ndërkombëtar “Autopromotec 2025” në Bolonja

3 Qershor, 2025
Rritja e komisioneve jep efekt, shqiptarët po i largohen sporteleve në banka dhe i drejtohen aplikacioneve dhe bankomateve
Ekonomi

Rritja e komisioneve jep efekt, shqiptarët po i largohen sporteleve në banka dhe i drejtohen aplikacioneve dhe bankomateve

3 Qershor, 2025
Artikulli pas
Sa lart fluturojnë avionët dhe “magjia” e numrave tek dhe çift në ajër

Sa lart fluturojnë avionët dhe "magjia" e numrave tek dhe çift në ajër

Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Të Përzgjedhura

BASTET/ Qytetet ndahen në zona të krimit të organizuar, si funksionon kumari dhe kush i mbron
Aktualitet

BASTET/ Qytetet ndahen në zona të krimit të organizuar, si funksionon kumari dhe kush i mbron

Nga SkyWeb
17 Prill, 2025
0

Në "hije" për shtetin, por me emra dhe zyra të identifikueshme dhe pushtet real mbi qytete të tëra. Shqipëria e...

Lexo të plotë
Kompanitë celulare rrisin fitimet gjatë 2024

Kompanitë celulare rrisin fitimet gjatë 2024

14 Maj, 2025
“Paqja fiskale”, bizneset i kanë shtetit 1.6 mld euro borxh

“Paqja fiskale”, bizneset i kanë shtetit 1.6 mld euro borxh

30 Prill, 2025
Propozohet kulla e re në mes të Tiranës, arkitekti holandez: Duhen aventura të reja

Propozohet kulla e re në mes të Tiranës, arkitekti holandez: Duhen aventura të reja

7 Qershor, 2025
Sherr masiv te Long Hill Residencë, ka të lënduar

Sherr masiv te Long Hill Residencë, ka të lënduar

25 Prill, 2025

Të Fundit

Propozohet kulla e re në mes të Tiranës, arkitekti holandez: Duhen aventura të reja

Propozohet kulla e re në mes të Tiranës, arkitekti holandez: Duhen aventura të reja

7 Qershor, 2025
Lajm i keq për pasagjerët, pritje deri në 4 orë dhe kompania ajrore nuk ka detyrim dëmshpërblimin: Çfarë ka ndryshuar

Lajm i keq për pasagjerët, pritje deri në 4 orë dhe kompania ajrore nuk ka detyrim dëmshpërblimin: Çfarë ka ndryshuar

7 Qershor, 2025
Daljet e reja në pension, si do të bëhet përllogaritja me koeficientët e rinj

O Shqipëri që s’ke pleqëri!

7 Qershor, 2025
Pensioni nuk del, Shqipëria në krye të listës për pensionistët e punësuar

Pensioni nuk del, Shqipëria në krye të listës për pensionistët e punësuar

6 Qershor, 2025
SkyWeb.al

Skyweb.al është një portal informativ i pavarur që sjell lajmet më të rëndësishme dhe të verifikuara nga vendi dhe bota. Me një qasje profesionale dhe të thelluar, duke u ofruar lexuesve një pasqyrë të plotë dhe të balancuar të ngjarjeve që formësojnë realitetin tonë.


NIPT: M11315001P

Na ndiqni

© 2025 SkyWeb.al - Mundësuar nga E/Digital Studio

Nuk u gjet asnjë rezultat
Shiko të gjitha
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Investigim
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Aviacion
  • OP-ED

© 2025 SkyWeb.al - Mundësuar nga E/Digital Studio

Mirësevini!

Hyni në llogarinë tuaj.

Keni harruar fjalëkalimin?

Riktheni fjalëkalimin

Ju lutem shkruani username ose email

Hyr