Zorrët janë kthyer në një temë me interes të jashtëzakonshëm. Influencuesit në rrjetet sociale promovojnë suplemente të paprovuara që pretendohet se përmirësojnë shëndetin e tyre, ndërsa kompani të ndryshme premtojnë se pijet e fermentuara ushqejnë zorrët me “baktere të mira”, raporton BBC.
Disa e konsiderojnë këtë obsesion si një modë kalimtare. Megjithatë, shumë mjekë besojnë se mikrobioma e zorrëve, triliona mikroorganizma që jetojnë në sistemin tonë tretës, mund të ndikojë në shumë aspekte të shëndetit, nga mirëqenia mendore deri te rreziku për sëmundje të rënda, përfshirë disa lloje kanceri.
Por ekziston edhe një pyetje tjetër thelbësore: a ndikon shëndeti i zorrëve në mënyrën se si plakemi?
Zorrët dhe procesi i plakjes
Disa javë më parë, dërgova një mostër të jashtëqitjes në laborator për analizë. Teste të tilla ofrojnë informacion mbi mikrobiomën e zorrëve, e përbërë kryesisht nga baktere, por edhe nga viruse dhe kërpudha.
Sipas disa studiuesve, mikrobioma luan një rol kyç në procesin e plakjes, duke ndikuar si në jetëgjatësi, ashtu edhe në forcën fizike në moshë të thyer. Megjithatë, ekspertët bien dakord se nevojiten ende më shumë kërkime shkencore për të nxjerrë përfundime përfundimtare.
Gruaja 117-vjeçare dhe kosi i përditshëm
Maria Branyas Morera, personi më i vjetër në botë, vdiq në vitin 2024 në moshën 117-vjeçare. Pas vdekjes së saj, shkencëtarët analizuan mostra biologjike dhe i krahasuan me ato të grave të tjera në Gadishullin Iberik.
Ajo kishte një stil jetese të shëndetshëm: jetonte në fshat, ecte çdo ditë dhe ndiqte një dietë mesdhetare. Por një zakon e dallonte veçanërisht: konsumonte çdo ditë kos.
Sipas gjenetistit Dr. Manel Esteller, ky zakon mund t’i ketë siguruar baktere të dobishme që reduktojnë inflamacionin. “Qelizat e saj dukeshin biologjikisht më të reja se mosha reale,” thotë ai.
Mosha ime dhe mosha e zorrëve
Në Spitalin St Mary’s në Londër, analizat treguan se mikrobioma ime është përgjithësisht e shëndetshme, por me disa mangësi. Disa baktere lidhen me rrezik më të lartë kardiovaskular dhe janë gjetur edhe mikrobe të zakonshme si E.coli dhe C-Difficile.
Ekspertët e krahasojnë mikrobiomën me një kopsht: sa më i larmishëm, aq më i shëndetshëm. Me kalimin e moshës, kjo larmi zakonisht zvogëlohet, por ata që arrijnë ta ruajnë jetojnë më gjatë dhe me më pak probleme shëndetësore.
A mund ta përmirësojmë mikrobiomën?
Një dietologe përgatiti një plan ushqimor për të rritur diversitetin bakterial:
fara liri dhe chia, kefir dhe fruta për mëngjes
perime, bishtajore dhe sallata për drekë
salmon, oriz kaf dhe perime për darkë
Rekomandohet shmangia e sheqernave të rafinuara dhe ushqimeve ultra të përpunuara.
Gjithashtu sugjerohen kefiri dhe kombucha, pije të fermentuara të pasura me baktere të dobishme, si dhe suplemente si probiotikë, Omega-3 dhe vitamina D3.
Ekspertët theksojnë se, edhe pse ka ende paqartësi, provat tregojnë se ushqimi ndikon drejtpërdrejt si në jetëgjatësi, ashtu edhe në cilësinë e jetës në pleqëri. /skyweb.al
















