Aeroporti i Vlorës, një nga projektet strategjike të infrastrukturës ajrore dhe turizmit në vend, po përballet me zhvillime që kanë vënë në pikëpyetje ecurinë e tij dhe afatin e hapjes.
Përplasjet mes aksionerëve, problematikat financiare dhe dyshimet për shkelje të kontratës koncesionare kanë rikthyer në vëmendje rolin e shtetit shqiptar dhe mundësinë e ndërhyrjes direkte në këtë investim.
Skyweb.al ka raportuar më herët se pas sherrit mes aksionerëve të Aeroportit të Vlorës dolën në pah akrobaci financiare, borxhe dhe lëie penpeng të kësaj vepre në kompani të treta, me lidhje të dyshuara ruse, nga njëri prej aksionerëve, konkretisht kompania Mabco e biznesmenit Behgjet Pacolli.
Siç mëson Skyweb.al, këto zhvillime kanë shtyrë shtetin shqiptar të shqyrtojë seriozisht mundësinë e shtetëzimit të aeroportit, përmes shlyerjes së shpenzimeve të kryera deri më tani, duke u mbështetur në mosrespektimin e kontratës koncesionare nga aksionerët.

Ky skenar konsiderohet edhe si një mënyrë për të mbrojtur interesin publik dhe për të shmangur një proces arbitrazhi ndërkombëtar ndaj shtetit shqiptar.
Ndërkohë, pak ditë më parë Kapitali.al publikoi korrespondencën mes ish administratorit të Aeroportit të Vlorës, Valon Lluka, dhe familjes Pacolli, ku evidentohet qartë kundërshtimi i tij ndaj vendosjes së koncesionit si kolateral për një kredi prej 100 milionë euro të marrë nga Mabco pranë Delphos.
Në emailin drejtuar Emin Pacollit, Lluka shkruan: “Në vijim të bisedës së sotme, por edhe atyre paraprake në lidhje me angazhimin e Mabco për financimin e Delphos, ndjej detyrimin të theksoj edhe njëherë se çdo formë financimi që lidhet me Aeroportin e Vlorës duhet të kryhet rreptësisht në përputhje me përcaktimet dhe detyrimet që i ngarkohen shoqërisë koncesionare dhe ortakëve të saj sipas kontratës së Koncesionit dhe marrëveshjeve përkatëse me financuesin kryesor, BKT.”
Në emailin drejtuar Emin Pacollit, Lluka thekson se çdo formë financimi që lidhet me Aeroportin e Vlorës duhet të kryhet rreptësisht në përputhje me detyrimet e kontratës koncesionare dhe marrëveshjet ekzistuese me financuesin kryesor, BKT.
Ai paralajmëron se sipas nenit 19.3 të kontratës, barrësimi i shoqërisë koncesionare, qoftë mbi kuota apo mbi të ardhurat e garantuara, mund të kryhet vetëm pas miratimit paraprak të Qeverisë shqiptare. Çdo veprim në kundërshtim me këtë, sipas tij, përbën shkelje kontraktuale dhe krijon bazë të drejtpërdrejtë për zgjidhjen e kontratës së koncesionit.
“Është e rëndësishme të nënvizohet se barrësimi i shoqërisë Koncesionare, qoftë mbi kuota apo mbi të hyrat e garantuara, sipas nenit 19.3 të kontratës koncesionare, mund të kryhet vetëm pas miratimit paraprak të Qeverisë shqiptare. Çdo veprim në kundërshtim me këtë përbën shkelje kontraktuale dhe përbën arsye për zgjidhjen e kontratës së koncesionit për shkak të veprimit të paligjshëm.”
Në vijim të korrespondencës, Lluka shprehet se refuzon kategorikisht ta bëjë Aeroportin e Vlorës palë në kredinë 100 milionë euro të Mabco tek Delphos, duke theksuar se si administrator i shoqërisë VIA ka detyrimin të veprojë vetëm brenda kufijve të kontratës dhe ligjit.
“Si administrator i VIA-s, që nga themelimi i shoqërisë, kërkoj që çdo vendim apo veprim të ndërmerret në përputhje të plotë me përcaktimet kontraktuale dhe njëkohësisht bëj me dije se refuzoj kategorikisht çdo veprim që cënon këto kufizime dhe dispozita.”
Ky qëndrim dokumenton se drejtuesi i atëhershëm i shoqërisë koncesionare ka kundërshtuar hapur përdorimin e aeroportit si garanci financiare, duke argumentuar se një veprim i tillë do të përbënte shkelje të kontratës dhe do t’i hapte rrugë ndërprerjes së saj nga shteti shqiptar.
Aeroporti i Vlorës, Behgjet Pacolli i paditur apo djallëzor?
Burime pranë institucioneve bëjnë me dije se pikërisht kjo pikë pritet të shërbejë si bazë ligjore për ndërhyrjen e shtetit, nëse vendoset zgjidhja e kontratës dhe marrja e aeroportit në administrim publik, duke minimizuar rrezikun e arbitrazhit ndërkombëtar.
Aeroporti i Vlorës ishte planifikuar të hapej në mars të vitit 2026, por përplasjet mes aksionerëve dhe situata e krijuar rreth financimit dhe respektimit të kontratës kanë vënë seriozisht në dyshim këtë afat. Sipas burimeve, nëse kriza aktuale nuk zgjidhet, hapja e aeroportit mund të shtyhet edhe përtej vitit 2026, duke ndikuar drejtpërdrejt në planet turistike dhe infrastrukturore të jugut të vendit. /skyweb.al















