Sipas dokumentacionit zyrtar, tre operatorë ekonomikë janë shpallur fitues në tërësi të procedurës, ndërsa në fazën pasuese pritet që kompanitë të garojnë mes tyre për të përcaktuar se cili operator do të ofrojë shërbimin konkretisht në secilin institucion shtetëror.
Siç mëson skyweb.al, bashkimi i operatorëve ekonomikë MC Networking sh.p.k. dhe Nisatel sh.p.k. është shpallur fitues me një ofertë rreth 3.54 milionë euro pa TVSH.

Fitues është shpallur gjithashtu bashkimi i operatorëve Digicom sh.p.k. dhe Albanian Telecommunications Union sh.p.k., me një ofertë rreth 3.87 milionë euro.
Po ashtu, operatori ekonomik Abissnet sh.a. është shpallur fitues me rreth 4.79 milionë euro.
Kompanitë janë shpallur fituese të marrëveshjes kuadër në tërësi dhe tashmë procesi hyn në fazën e dytë, ku do të vendoset se cili operator do të ofrojë shërbimin në secilin institucion qeveritar.
Tenderi kishte mbetur i bllokuar për disa muaj pas një vale të gjerë ankimimesh nga operatorët e tregut. Siç raportoi më herët Skyweb.al, procedura ishte anuluar në shtator 2025 pasi kompanitë e internetit argumentuan se me kushtet ekzistuese ishte e pamundur të përmbushej shërbimi i kërkuar.
Operatorët e kishin çuar çështjen në Komisionin e Prokurimit Publik, duke pretenduar se raporti mes fondit limit dhe kapaciteteve teknike të kërkuara nuk qëndronte.
Sipas tyre, me çmimin e parashikuar nuk mund të garantohej cilësia dhe volumi i shërbimit, ndërsa kërkohej rritja e fondit limit ose rishikimi i kritereve teknike.
Si argument ishte sjellë edhe tenderi i mëparshëm, i cili kishte një vlerë dukshëm më të lartë.
Mes kompanive që kishin paraqitur ankesa ishin One Albania, MC Networking, Abissnet, Vodafone Albania dhe Albanian Satellite Communication, disa prej të cilave kishin dorëzuar edhe përllogaritje të detajuara, duke pretenduar se AKSHI kishte llogaritur gabim kapacitetet dhe se kërkesat teknike nuk ishin të përcaktuara qartë. /skyweb.al
















