Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU), pjesë e OSHEE Group, ka intensifikuar procesin e përditësimit të kontratave të energjisë elektrike për të gjitha kategoritë e klientëve, në funksion të zbatimit të sistemit të ri të tarifimit sipas natyrës së konsumit.
Gjatë kontrolleve në terren, grupet e verifikimit kanë konstatuar një numër subjektesh private që ushtronin aktivitet ekonomik, kryesisht në sektorin e shërbimeve, por që vijonin të tarifoheshin si klientë familjarë me çmime 8.5–9.5 lekë për kWh, në vend të tarifës 14 lekë për kWh të miratuar për klientët biznes.
FSHU u bën thirrje të gjitha bizneseve, organizatave jofitimprurëse dhe personave fizikë që veprojnë si subjekte ekonomike, të verifikojnë statusin e kontratës së energjisë dhe ta përditësojnë atë nëse rezultojnë ende të regjistruar si klientë familjarë.
Sipas FSHU-së, ky proces është i domosdoshëm për të garantuar një tarifim të drejtë dhe korrekt, në përputhje me përdorimin real të energjisë. Klasifikimi i pasaktë ka ardhur si pasojë e regjistrimeve të vjetra, mungesës së përditësimeve ndër vite ose ndryshimeve në funksionin real të objekteve.
Përmes këtij verifikimi, subjektet ftohen të bashkëpunojnë me grupet e kontrollit në terren dhe të ndërmarrin vetë hapat për ndryshimin e kategorisë së kontratës, nga familjare në jo familjare, me qëllim shmangien e penaliteteve në të ardhmen.
Procesi përfshin të gjitha subjektet që kryejnë veprimtari ekonomike në emër të një personi fizik apo juridik, që përdorin energjinë për zyra, dyqane, punishte, qendra shërbimi apo aktivitete të ngjashme.
Në të përfshihen edhe organizatat jofitimprurëse që, në praktikë, konsumojnë energji për funksione të krahasueshme me ato të bizneseve. Ky proces nuk prek konsumatorët familjarë që e përdorin energjinë vetëm për qëllime banimi.
Përditësimi i kontratës realizohet përmes verifikimit të statusit aktual, paraqitjes së kërkesës për ndryshim kategorie dhe dorëzimit të dokumentacionit përkatës që vërteton natyrën ekonomike të aktivitetit, si NIPT apo dokumente të QKB-së.
FSHU bën me dije se përditësimi mund të kryhet pranë sporteleve të Qendrave të Kujdesit ndaj Klientit ose online, përmes platformave digjitale të kompanisë.
Në përfundim, FSHU dhe OSHEE Group u bëjnë thirrje të gjitha subjekteve të mos e shtyjnë këtë proces dhe të përfitojnë nga mundësia për rregullimin e të dhënave dhe tarifimit, në funksion të një sistemi më transparent, të rregullt dhe funksional për të gjithë konsumatorët./skyweb.al
















