Tërshëra është një ushqim shumë i pasur me fibra dhe proteina, që ndihmon tretjen dhe mund të jetë një zgjedhje e lehtë e e shëndetshme edhe për mbrëmje, sidomos për ata që duan të kontrollojnë peshën. Ajo konsiderohet ndër ushqimet më ushqyese dhe shpesh lidhet me mëngjesin ose dietat për dobësim, por shumëkush pyet nëse është e përshtatshme edhe për darkë.
Tërshëra vjen nga drithi Avena sativa dhe përmban një sasi të madhe fibrash, veçanërisht beta-glukan. Kjo fibër ndihmon në uljen e kolesterolit të keq (LDL), stabilizon nivelin e sheqerit në gjak dhe përmirëson funksionin e tretjes. Për këtë arsye nutricionistët e rekomandojnë shpesh si një nga zgjedhjet më të mira për mëngjes.
Ekspertët theksojnë se fibrat e tretshme që gjenden në tërshërë ndihmojnë në ruajtjen e nivelit të qëndrueshëm të sheqerit në gjak dhe mbështesin shëndetin e zemrës. Qullja e tërshërës, e përgatitur me ujë ose qumësht, krijon një ndjenjë të gjatë ngopjeje, pasi fibrat thithin ujë dhe treten më ngadalë. Kjo ndihmon në shmangien e urisë mes vakteve dhe në ruajtjen e energjisë gjatë ditës.
A është tërshëra e përshtatshme për darkë?
Përgjigjja është po. Falë përmbajtjes së lartë të fibrave dhe sasisë së ulët të yndyrës, tërshëra mund të jetë një darkë e lehtë dhe e shëndetshme. Ajo ndihmon tretjen, ul ndjenjën e urisë në mbrëmje dhe nuk e rëndon stomakun para gjumit.
Sipas ekspertëve, tërshëra mund të konsumohet në çdo kohë të ditës. Madje ajo ndihmon në prodhimin e serotoninës, hormon që ndikon në përmirësimin e humorit dhe në një gjumë më të qetë. Megjithatë, personat me intolerancë ndaj glutenit duhet të tregojnë kujdes, sepse gjatë përpunimit industrial tërshëra mund të kontaminohet me grurë.















