Kurioziteti, qëndrueshmëria emocionale dhe një jetë aktive shoqërore duket se janë përbërësit kryesorë pas jetëgjatësisë së shëndetshme të të moshuarve në zonën blu të Sardenjës.
Njerëzit po jetojnë më gjatë se kurrë më parë, ndërsa jetëgjatësia mesatare globale ka arritur në 73.5 vjet. Megjithatë, të jetosh më gjatë nuk do të thotë domosdoshmërisht të jetosh më shëndetshëm. Studiuesit po përpiqen të zbulojnë sekretin jo vetëm të një jete më të gjatë, por edhe të një jete të jetuar me shëndet të mirë dhe cilësi të lartë.
Për këtë arsye, studiuesit në Universitetin e Kaljarit (Cagliari) në Itali studiuan të moshuarit e zonës blu të Sardenjës, një rajon në ishullin mesdhetar ku njerëzit priren të jetojnë më gjatë sesa në pjesë të tjera të Italisë dhe më gjatë se në pjesën tjetër të Evropës.
Zonat blu janë zona gjeografikisht të izoluara si Sardenja qendrore-lindore (Itali), Okinaëa (Japoni), Ikaria (Greqi) dhe Nicoya (Kosta Rika) të karakterizuara nga jetëgjatësia e jashtëzakonshme dhe nivele të larta të mirëqenies së banorëve të tyre.
Për t’u cilësuar si një “zonë blu”, një vend duhet të ketë kufij të përcaktuar qartë, një përqendrim jashtëzakonisht të lartë të njerëzve që jetojnë të paktën deri në moshën 90-vjeçare gjatë 150 viteve të fundit dhe dokumentacion të besueshëm që vërteton datat e lindjes dhe vdekjes.
Studime të mëparshme kanë treguar se njerëzit në këto zona gëzojnë jetë më të gjatë falë një kombinimi faktorësh gjenetikë, mjedisorë, ushqimorë, socio-kulturorë dhe psikologjikë.
Cili është sekreti i “super-të moshuarve” të Sardenjës?
Studimi i ri, i botuar në revistën International Journal of Applied Positive Psychology, krahasoi të moshuarit që jetojnë në zonën blu të Sardenjës me ata që jetojnë në një zonë rurale aty pranë. Pjesëmarrësit iu përgjigjën pyetjeve mbi stilin e jetesës, karakteristikat demografike, cilësinë e perceptuar të jetës dhe kryen një test njohës.
Në zonën blu të Sardenjës, të moshuarit përfitojnë nga aktivitete të rregullta që stimulojnë si jetën shoqërore ashtu edhe aftësitë mendore; ata ruajnë një rol domethënës në komunitet dhe një ndjenjë qëllimi në jetë, të cilat autorët i përshkruajnë si “elemente kyçe për një plakje të suksesshme.”
Studiuesit zbuluan se banorët e zonës blu kishin nivele më të larta kurioziteti dhe ishin më të hapur ndaj ideve të reja. Ata gjithashtu kishin aftësi më të zhvilluara për të kuptuar dhe shprehur emocionet e tyre.
Në përfundim, të dhënat sugjerojnë se profilet e personalitetit që përshtaten mirë me ndryshimet dhe një stil jetese aktiv janë thelbësore për ruajtjen e shëndetit mendor dhe fizik në moshën e tretë.
Banorët e zonës blu bëjnë një jetë të thjeshtë, por shumë aktive. Ata kalonin dukshëm më shumë kohë në aktivitete të kohës së lirë që stimulojnë mendjen dhe trupin – mesatarisht 11.3 orë në javë, krahasuar me 6.8 orë tek ata që jetonin jashtë zonës blu.
Studiuesit vunë re gjithashtu se, në vend që të përpiqeshin të bënin gjithçka, këta të moshuar përqendroheshin në aktivitetet që ende mund t’i kryenin me sukses dhe që u sillnin kënaqësi, si kopshtaria, ecja ose pjesëmarrja në takime shoqërore në qendrat komunitare.
Të moshuarit në zonën blu ruanin lidhje të forta shoqërore brenda komunitetit të tyre dhe shprehnin kënaqësi më të madhe si në marrëdhëniet familjare ashtu edhe në ato me miqtë dhe njerëzit jashtë familjes. Ata gjithashtu kishin strategji më efektive për përballimin e problemeve të përditshme dhe kompetenca më të larta emocionale.
Autorët e studimit përfunduan se angazhimi shoqëror dhe menaxhimi efektiv i stresit janë elementë thelbësorë për një plakje të shëndetshme në këto komunitete unike.
Ku ndodhet zona blu e Sardenjës?
Zona blu e Sardenjës shtrihet në gjashtë fshatra në pjesën lindore-qendrore të ishullit, në rajonin e quajtur Ogliastra, sipas studimeve të fundit.
Në këtë zonë, përqindja e njëqindvjeçarëve mes njerëzve të lindur midis viteve 1880 dhe 1900 ishte afërsisht pesë herë më e lartë sesa në pjesën tjetër të Evropës dhe tre herë më e lartë sesa në Sardenjë në tërësi. Ky raport është rritur edhe më shumë që kur termi “zonë blu” u përdor për herë të parë pothuajse 20 vjet më parë.
Ndërsa në nivel global më shumë gra arrijnë moshën 100-vjeçare sesa burrat, në këtë pjesë të Sardenjës numri i burrave dhe grave që arrijnë këtë moshë është pothuajse i barabartë.
Në zonën blu të ishullit, studiuesit verifikuan moshën e çdo personi mbi 90 vjeç duke krahasuar të dhënat e arkivave civile dhe kishtare, si dhe duke rindërtuar pemët gjenealogjike familjare për të shmangur gabimet ose ngatërrimet e identitetit.
Përshtati Skyweb.al















