Dogana e Rinasit njofton se po përballon me efikasitet fluksin e lartë të udhëtarëve gjatë sezonit veror, teksa vetëm gjatë muajit korrik janë regjistruar mbi 1.8 milionë pasagjerë dhe rreth 9.5 mijë fluturime në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Sipas të dhënave të publikuara nga Dogana Shqiptare, angazhimi i punonjësve të Doganës së Rinasit ka garantuar vijimësinë normale të procedurave doganore, pavarësisht rritjes së ndjeshme të numrit të udhëtarëve.
Institucioni thekson se shërbimi po ofrohet me shpejtësi, siguri dhe profesionalizëm, me qëllim lehtësimin e lëvizjes së pasagjerëve gjatë periudhës së pikut të sezonit turistik.
Fluksi i lartë i udhëtarëve gjatë muajve të verës ka shënuar një tjetër rekord për aeroportin e Rinasit, ndërsa autoritetet doganore bëjnë të ditur se po vijojnë punën për të garantuar mbarëvajtjen e kontrolleve dhe procedurave në hyrje dhe dalje të vendit.















