Airbus ka identifikuar një defekt prodhimi që prek rreth 500 avionë të modelit A321neo. Problemi lidhet me mbrojtjen e pamjaftueshme kundër korrozionit në disa pjesë të strukturës së përparme të avionit.
Megjithatë, disa kompani ajrore vijojnë t’i marrin avionët në dorëzim, me kusht që ndërhyrjet të kryhen më vonë.
Sipas raportimeve të Reuters dhe The Air Current, defekti prek si avionë që janë dorëzuar, ashtu edhe të tjerë që ndodhen ende në prodhim. Rreth 250 prej tyre janë në faza të ndryshme të procesit të prodhimit.
Problemi është konstatuar në shtresën mbrojtëse të elementeve që përforcojnë trupin e avionit. Kjo shtresë shërben për të parandaluar korrozionin nga lagështia që mund të grumbullohet me kalimin e kohës.
Airbus thotë se defekti nuk paraqet rrezik të menjëhershëm për sigurinë e fluturimeve dhe avionët mund të vazhdojnë të operojnë ndërsa organizohen riparimet.
Kompanitë që pranojnë dorëzimin e avionëve të prekur do të kenë dy vjet për të kryer ndërhyrjen. Procesi mund të zgjasë deri në nëntë ditë për avion, ndërsa puna kryesore e riparimit pritet të marrë dy deri në tri ditë. Pjesët e prekura nuk do të kenë nevojë të çmontohen.
Airbus dhe kompania italiane Leonardo po hetojnë shkakun e problemit. Defekti shton presionin mbi ritmin e dorëzimeve, megjithëse Airbus ka rikonfirmuar objektivin e saj për vitin 2026. /skyweb.al















