Transporti ajror në Shqipëri ka vijuar rritjen gjatë vitit 2025, duke regjistruar mbi 11.6 milionë pasagjerë, ndërsa numri i avionëve që kanë përdorur hapësirën ajrore shqiptare ka kaluar 400 mijë. Megjithatë, të dhënat tregojnë se numri i pasagjerëve është rritur me ritme shumë më të shpejta sesa ulje-ngritjet në aeroporte, ndërsa tregu dominohet numerikisht nga kompanitë e huaja.
Sipas raportit “Transporti në Shifra 2025”, të publikuar nga INSTAT, gjatë vitit të kaluar nëpërmjet transportit ajror kanë udhëtuar 11,640,070 pasagjerë, ose 8.7% më shumë krahasuar me vitin 2024, kur u regjistruan 10,708,995 pasagjerë.
Në harkun e dy viteve, rritja është edhe më e madhe. Në vitin 2023, transporti ajror regjistronte 7.28 milionë pasagjerë, çka do të thotë se deri në fund të vitit 2025 numri i tyre është shtuar me rreth 4.36 milionë, ose afro 60%.

Megjithatë, ritmi i zgjerimit është ngadalësuar ndjeshëm, nga rreth 47% në vitin 2024 në 8.7% gjatë vitit 2025.
Një tregues tjetër interesant lidhet me raportin mes pasagjerëve dhe fluturimeve. Ndërsa numri i udhëtarëve u rrit me 8.7%, ulje-ngritjet e avionëve u shtuan me vetëm 2.3%, nga 68,578 në vitin 2024 në 70,124 gjatë vitit 2025.
Kjo do të thotë se numri mesatar i pasagjerëve për çdo ulje-ngritje është rritur nga rreth 156 në 166, duke sinjalizuar një shfrytëzim më të madh të kapacitetit të transportit ajror, përmes mbushjes më të lartë të avionëve ose përdorimit të mjeteve me kapacitet më të madh.
31 kompani të huaja dhe vetëm një shqiptare
Të dhënat e INSTAT nxjerrin në pah edhe strukturën e operatorëve në tregun shqiptar të aviacionit.
Gjatë vitit 2025 kanë operuar gjithsej 32 shoqëri ajrore, nga të cilat 31 kanë qenë kompani të huaja dhe vetëm një kompani shqiptare.
Kështu, pavarësisht zgjerimit të shpejtë të tregut dhe numrit rekord të pasagjerëve, prania e operatorëve vendas mbetet minimale, me kompanitë e huaja që përbëjnë rreth 97% të shoqërive ajrore aktive në vend.
Ndërkohë, Shqipëria po luan një rol gjithnjë e më të madh edhe si korridor për trafikun ndërkombëtar ajror.
Gjatë vitit 2025, në hapësirën ajrore shqiptare janë regjistruar gjithsej 404,399 lëvizje avionësh, nga të cilat 334,275 kanë qenë mbikalime, pra fluturime që kanë kaluar mbi territorin shqiptar pa u ulur në aeroportet e vendit.
Numri i mbikalimeve është rritur me 9.7% krahasuar me vitin 2024 dhe me rreth 31% kundrejt vitit 2023.
Kjo do të thotë se gati 83% e lëvizjeve të regjistruara në hapësirën ajrore shqiptare përbëhen nga avionë që vetëm e përshkojnë atë, ndërsa pjesa tjetër lidhet me ulje-ngritjet në aeroporte.
Sipas llojit të operimeve, 93.2% e ulje-ngritjeve u përkasin linjave të rregullta, 6.2% fluturimeve charter dhe 0.6% avionëve ushtarakë.
Rritet edhe transporti ajror i mallrave, importet dominojnë eksportet
Rritje ka regjistruar edhe transporti i mallrave nëpërmjet avionëve.
Sipas INSTAT, gjatë vitit 2025 janë transportuar gjithsej 2,807 tonë mallra dhe postë, duke shënuar rritje prej 24.4% krahasuar me një vit më parë.
Nga kjo sasi, 1,821 tonë kanë qenë mallra të hyra në Shqipëri, ndërsa vetëm 682 tonë mallra të dala jashtë vendit.
Pra, në transportin ajror, volumi i mallrave që hyjnë në vend është rreth 2.7 herë më i lartë sesa ai i mallrave që dalin.
Ndërkohë, transporti postar ka arritur në 304 tonë, nga të cilat 227 tonë në hyrje dhe 77 tonë në dalje. Krahasuar me vitin 2024, volumi i postës së transportuar me avion është rritur me 23.2%.
Të dhënat për vitin 2025 konfirmojnë zgjerimin e mëtejshëm të aktivitetit ajror në Shqipëri, por evidentojnë edhe ngadalësimin e ritmeve të rritjes së pasagjerëve, dominimin numerik të operatorëve të huaj dhe diferencën e konsiderueshme mes mallrave që hyjnë dhe atyre që dalin nga vendi përmes transportit ajror. /skyweb.al
















